MAQEDONI

Letra e akademikëve: Të respektohet vullneti i popullit

08.05.2014 19:12

Akademikët shqiptarë, rektori i USHT-së, kryetari i OEMVP-së dhe një grup intelektualesh të njohur shqiptarë...

Akademikët shqiptarë, rektori i USHT-së, kryetari i OEMVP-së dhe një grup intelektualesh të njohur shqiptarë, të motivuar nga situata post-zgjedhore, apelojnë përmes një letre të hapur për respektimin e vullnetit të shqiptarëve dhënë me votën e tyre të lirë më 27 prill.
 
VMRO-DPMNE-së, sipas Kushtetutës i takon mandati për formimin e Qeverisë së re, por duke respektuar praktikën tanimë të ndërtuar, në formimin e Qeverisë duhet të ftojë edhe partinë politike që përfaqëson shqiptarët. 
 
“Ditëve të fundit ka pasur dhe ka paraqitje të ndryshme të partive politike të kampusit shqiptar dhe maqedonas, që krijojnë huti dhe që në plan të parë kanë përmbushjen e ambicieve individuale ose grupore, duke i lënë në plan të dytë interesat kombëtare dhe të Shtetit dhe duke bërë veprime që janë në kundërshtim me parimet bazë të demokracisë përfaqësuese. Nëse shqiptarët nuk do të kenë në pushtet partinë për të cilën si shumicë janë përcaktuar, ata në të vërtetë mbeten pa orientuesin më elementar të vullnetit të vet politik, mbeten pa përcaktuesin e sjelljes së tyre politike, respektivisht nuk e kanë kriterin themelor të statusit të vet politik”, thuhet në letrën e akademikëve dhe intelektualëve shqiptarë. 
 
Një apel edhe për ndërkombëtarët, që ta lehtësojnë këtë proces drejt stabilizimit të demokracisë dhe forcimit të besimit të ndërsjellë edhe ashtu të brishtë në këtë Shtet multietnik. 
Një apel të posaçëm akademikët dhe intelektualët i drejtojnë edhe NATO-s dhe BE-së, që në këto momente decizive, të mos lejojnë gjithë ajo që është ndërtuar me vite edhe me angazhimin dhe investimin e tyre, të vihet në pikëpyetje. 
 
“Ky Shtet multienik nuk guxon të futet në turbulenca të paparashikueshme politike dhe të sigurisë, andaj, ka nevojë për mbështetjen tuaj, që sa më shpejtë t’i plotësojë kushtet për anëtarësim në këto organizma, si orientim strategjik për të cilën kemi konsensus, qytetarë dhe etnik”, thuhet në letër. 
 
VMRO-DPMNE duhet ta pranojë verdiktin e popullit shqiptarë po me aq seriozitet sa edhe vullnetin e popullit maqedonas dhe të respektojë kërkesat e popullit shqiptarë, të dalë nga këto zgjedhje nëpërmjet partisë fituese në kampin politik shqiptarë, thonë akademikët dhe intelektualët shqiptarë, të cilët kërkojnë nga BDI që në asnjë mënyrë të mos shkelë mbi vullnetin e 153.000 votuesve që e mbështetën atë dhe të mos pranojë pozicion inferior në Qeveri dhe mbi të gjitha të mos e përbuzë këtë vullnet, duke u bërë instrument i ndonjë partie maqedonase, pa marrë parasysh presionet, shantazhet dhe lojërat e ndryshme politike që mund të luhen me ndonjë parti tjetër që nuk e ka vullnetin e popullit shqiptar. 
 
Akademikët dhe intelektualët shqiptarë presin që edhe  PDSH të respektojë 66.000 votat shqiptare dhe të luaj rol të rëndësishëm dhe konstruktiv në proceset politike në përputhje me interesat kombëtare dhe shtetërore.
 
Çdo shmangie nga ky rol që partive politike ua ka përcaktuar  votuesi shqiptar, do të llogaritet si shantazh i procesit, e kjo padyshim do të rezultojë në dëmin e shqiptarëve, thuhet me tej në letër. Verdikti i popullit është dhe duhet të mbetet mbi çdo interes partiak apo individual. 
 
Akademikët dhe intelektualët shqiptarë janë të bindur se Maqedonia do të shënojë progres dhe stabilitet politik vetëm nëse qeveriset me programet e partive që marrin shumicën në dy kampet politike, atë maqedonas dhe atë shqiptarë.
 
Kjo lloj qeverisje do të fuqizohet nëse qeveria e ardhshme do të mbetet e fortë në kursin strategjik, anëtarësimi i plotë në NATO dhe BE.
 
Përgjegjësinë për sfidat të cilat e presin vendin, nuk mund ta bartë një Qeveri e cila nuk do ta reflektonte vullnetin e qytetarëve të shprehur në zgjedhjet e fundit parlamentare, thuhet në letrën e akademikëve Ali Aliu, Alajdin Abazi dhe Abdylmenaf Bexheti, Rektorit të USHT-së, Vullnet Ameti, kryetarit të OEMVP-së, Menderez Kuçi dhe grupit të intelektualëve,  Xhevdet Hajredini,  Naser Zyberi, Ismet Ramadani dhe Albert Musliu. Ata paraprakisht e quajnë të pabazë edhe çdo tentim për etiketim të anësisë së këtij apeli me subjekte të caktuara politike. 
 
MERITA GASHI