Botë

Europa nën akull, “edgon” godet Francën dhe Gjermaninë

13.01.2017 13:44

Një stuhi e fuqishme dëbore, e cila ka përfshirë së fundmi Europën, ka goditur Francën dhe Gjermaninë, duke shkaktuar një situatë kaotike për këto dy vende...

Fatmirësisht, deri më tani nuk ka asnjë raportim për viktima, por zyrtarët e dy vendeve kanë bërë të ditur se ka pasur dëme të konsiderueshme infrastrukturore. 
 
Në Francë, 237.000 shtëpi kanë mbetur pa energji elektrike. Gjithashtu, u njoftua se shpejtësia e erës në shumë zona kishte arritur deri në 146 kilometër në orë. 
 
Një situatë e ngjashme paraqitet edhe në Gjermani. Pavarësisht ndërhyrjes së autoriteteve, shumë rrugë janë plot me akull. Në të dy shtetet përgjatë gjithë natës ka pasur një prezencë të shtuar të forcave zjarrfikëse në terren. 
 
Në shumë zona, banorëve u është bërë thirrje që të evitojnë kategorikisht daljet si dhe të qëndrojnë në ambient të ngrohtë, deri në një komunikatë të dytë nga ana e zyrtarëve. Deri më tani, si pasojë e motit të ashpër në Europë, kanë humbur jetën dhjetëra persona, shumica e të cilëve në Poloni, ku termometri shënon -25 gradë celsius. 
 
Por, nuk bëjnë përjashtim as Turqia, Greqia, Italia e Rusia, ku tek to u shënuan temperaturat më të ulëta në më shumë se një shekull. Bora dhe i ftohti ekstrem, që nuk po e lëshojnë Greqinë prej pesë ditësh, ka izoluar shumë fshatra, ka paralizuar transportin e ka lënë banorët të bllokuar në shtëpitë e tyre.
 
Skopelos, në detin Egje, dhe  ishujt e Evias dhe Alonnisos ishin mes më të goditurve nga i ftohti ekstrem me disa zona që janë zhytur në më shumë se një metër borë.
 
GAZMEND KURTISHI