Botë
Beogradi kërkon ekstradimin: Kemi 30 dëshmitarë kundër Haradinajt
13.01.2017 14:38
Serbia kërkon urgjentisht ekstradimin e ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, nga Franca...

Një ditë pasi ky i fundit fitoi lirinë me kusht pa të drejtë lëvizje nga shteti francez, qeveria serbe thotë se Franca e ka për detyrë t’ia dorëzojë Serbisë kreun e AAK-së.
Ministrja e Drejtësisë, Kuburoviç, tha se Serbia ka pasur 40 ditë afat për dorëzimin e kërkesës për ekstradimin e Haradinajt.
Ministrja serbe pretendon se Prokuroria e Krimeve të Luftës ka siguruar prova të reja dhe dëshmitarë kundër Haradinajt. Ajo theksoi se Serbia nuk heq dorë nga kërkesa për ekstradim.
“Prokuroria e Krimeve të Luftës ka zgjeruar hetimet për krimet e ish-komandantit të UÇK-së, Ramush Haradinaj, ka rreth 30 dëshmitarë dhe prova të tjera. Disa nga dëshmitarët kanë dhënë deklaratë me shkrim, ka nga ata që kanë statusin e dëshmitarëve të mbrojtur në mënyrë që ata të mos mund t’i zbulojnë emrat e tyre”,- deklaroi ministrja e Drejtësisë e Serbisë, Nela Kuburoviç.
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Djuriç, tha se Serbia do të vazhdojë me ndjekjen penale të të gjithë të akuzuarve dhe të dënuarve për krime lufte, të çfarëdo kombësie qofshin. Ai ftoi të gjithë vendet anëtare dhe jo anëtare të BE-së të respektojnë të drejtën ndërkombëtare dhe urdhrin e Interpolit në raste të tilla dhe jo të marrin vendime politike.
GAZMEND KURTISHI
