Maqedoni
Transporti hekurudhor, HMT: bëjmë maksimumin në kushte ekstreme; Meteorologët: në ditët e ardhshme pritet rritje e temperaturave
13.01.2017 15:16
Moti i ftohtë vazhdon të mbizotërojë në gjithë vendin...

Moti i ftohtë vazhdon të mbizotërojë në gjithë vendin, por mungesa e reshjeve të reja të borë ka bërë që të paktën ekipet e pastrimit ta kenë më të lehtë për të kontrolluar kalueshmërinë e akseve rrugore.
Rrugët janë të kalueshme, por në kushte dimri dhe vazhdojnë të vlejnë të gjitha apelet për kujdes të shtuar.
Edhe transporti hekurudhor vazhdon të hasë në probleme.
Nga “Hekurudhat e Maqedonisë” thonë se bëjnë përpjekje maksimale për zhvillimin pa pengesa të komunikacionit hekurudhor.
“Punojmë në kushte ekstremisht të vështira dhe tentojmë që në kufi të mundësive tona ta mbajmë komunikacionin e rregullt hekurudhor, për dallim nga rrugët dhe komunikacionin tjetër në Maqedoni. Në temperatura ekstrem të ulëta prishen mjetet tërheqëse, vagonët ngrihen, pëlcasin binarët, pëlcasin gypat e tjerë”,- thonë nga “Hekurudhat e Maqedonisë”.
Gjithsesi, në ditët e ardhshme na pret një rritje e temperaturave, madje edhe periudha me diell gjatë fundjavës, thonë sinoptikanët. Por, sërish do të ketë reshje bore, madje edhe shi të ngrirë.
“Gjatë dy ditëve të ardhshme do të fryjë erë nga jugu, që do të ndikojë në rritjen e temperaturave. Më ftohtë është në pjesën e Pellagonisë dhe në rrethinën e Shkupit, ku temperaturat janë mjaft të ulëta, pasi që ka dhe mjegull. Gjatë orëve të mbrëmjes mund të paraqiten reshje të shiut të ngrirë. Reshje shiu do të ketë edhe nesër paradite në pjesët perëndimore dhe veriore, ndërsa në male do të ketë reshje bore, duke rritur shtresën aktuale të borës edhe për 10-20 centimetra”,- tha sinoptikani, Boris Sekirarski.
Në këto kushte ekstreme të motit vlejnë rekomandimet për të mos lëvizur pa nevojë. Gjithashtu shallet dhe dorezat është mirë t’i mbani pranë vetes edhe javën që vjen.
VLORA LATIFI-TOPOJANI
