MONSTRA

Raufi: Dëshmi të pavlevshme për rastin “Monstra”

09.05.2014 18:13

Në mungesë të provave konkrete, Prokuroria e angazhuar në rastin “Monstra”, akoma po merret me dëshmi të pavlefshme, që nuk kanë të bëjnë aspak me rastin, thotë avokati mbrojtës, Naser Raufi……….

Në mungesë të provave konkrete, Prokuroria e angazhuar në rastin “Monstra”,  akoma po merret me dëshmi të pavlefshme, që nuk kanë të bëjnë aspak me rastin, thotë avokati mbrojtës, Naser Raufi.

Gjatë seancës së sotme gjyqësore për këtë rast, Prokuroria shpalosi të dhëna nga faqja facebook e Sami Lutës, që kanë të bëjnë me shkrime të disa gazetave bullgare, të cilat shkruajnë për rëndësinë e Maqedonisë për sigurimin e stabilitetit në rajon dhe fotografi të cilat thirret në liri për Pakistanin. Avokati mbrojtës Naser Raufi edhe një herë tha se këto janë dëshmitë që  nuk kanë të bëjnë aspak me rastin.

Njëherit sot trupi gjykues ka kërkuar të realizohet ekspertizë nga video-incizimet nga dasma të cilën ka prezantuar familja Luta, ku dëshmohet fizionomia e të akuzuarit Sami Luta.

Ekspertiza e tillë sipas trupit gjykues, do të realizohet me qëllim të vërtetimit të origjinalitetit dhe besueshmërisë së video-incizimeve, ndërkohë që  për avokatin Raufi, akoma  mbetet  dilemë vetura “Opel Omega”, e cila sipas të dhënave zyrtare asnjëherë nuk ka regjistruar hyrje në Maqedoni dhe asnjëherë nuk është prezantuar realisht për palën mbrojtëse.

Në seancën e radhës pritet të sigurohen dëshmitarë të cilët do të dëshmojnë për vendndodhjen dhe aktivitetin e Rami Sejdiut ditën kur ka ndodhur vrasja e pesëfishtë në Smillkovcë.

Të rikujtojmë se 7 të akuzuarit për këtë rast, Alil Demiri, Afrim dhe Agim Ismailoviq,  Rami Sejdi, Haki Aziri, Fejzi Aziri dhe Sami Luta ngarkohen për veprën  penale terrorizëm.

Seanca e fundit për procesin “Monstra” është caktuar më 30 maj. (Florije Kamberi, TVM2)