Botë

Moti i ftohtë, 10 të vdekur në Shqipëri, katër nga gripi

13.01.2017 15:34

Ka shkuar në katër numri i viktimave nga gripi në Shqipëri. Bashkë me viktimat për shkak të motit, totali i jetëve të humbura është 10...

Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se një tjetër 76-vjeçar ka ndërruar jetë në Spitalin e Sanatoriumit "Shefqet Ndroqi", të shtruar një javë më parë me ftohje dhe probleme të theksuara me frymëmarrjen.
 
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, pacienti kishte edhe sëmundje të tjera kronike, por gripi duket se ia ka rënduar gjendjen, deri në humbje jete.
 
Ky është rasti i katërt i konfirmuar, pas dy rasteve të raportuara më 5 janar dhe rastit të datës 11 janar nga Ministria e Shëndetësisë për persona që kanë ndërruar jetë, të cilët, përveç sëmundjeve të tjera, kanë rezultuar të prekur edhe nga virusi i gripit të stinës.
 
Ndërkohë, në Shqipëri vijon të ketë ngrica, ndërsa temperaturat kanë shënuar një rritje të lehtë. Më problematike paraqiten zonat në veri dhe juglindje, ku jo pak banorë kanë mbetur të bllokuar.
 
LULJETA NDOKA