Maqedoni
Enti Shtetëror i Statistikave mbetet pa përgjigje se përse nuk ka ueb faqe në shqip
13.01.2017 15:59
Institucioni përgjegjës për përpilimin e mbi 85% të statistikave në vend, Enti Shtetëror i Statistikave...

Institucioni përgjegjës për përpilimin e mbi 85% të statistikave në vend, Enti Shtetëror i Statistikave, vazhdon të mbetet një nga institucionet ku përfaqësimi adekuat lë për të dëshiruar.
Edhe përkundër ankesave të shumta për mosrespektimin e përfaqësimit në këtë institucion, nga Enti thonë se shqiptarët këtu janë të përfaqësuar me 18% në numrin e përgjithshëm prej 300 të punësuarve, por pa sqaruar nëse ky përfaqësim shtrihet edhe vertikalisht në hierarki.
Nuk kishte përgjigje as se përse Enti Shtetëror i Statistikave nuk e respekton gjuhën shqipe në faqen e tij zyrtare. Në takimin e sotëm me gazetarë, nga Enti nuk dinin të tregonin as se kur do të ndodhë regjistrimi i popullsisë, por u përgjigjën shkurt, se ata janë të gatshëm të fillojnë regjistrimin atëherë kur do të krijohen kushtet dhe arrihet pëlqim nga të gjithë.
Nga Enti sot informuan me hollësi gazetarët vetëm për vlerësimin e punës së tyre që do të bëhet nga 13 deri më datën 17 shkurt nga ana e Eurostard, i cili do të analizojë pavarësinë, përshtatshmërinë e resurseve, cilësinë në shërbime, besueshmërinë statistikore, paanshmërinë, objektivitetin, metodologjinë e kryerjes së obligimeve statistikore, efikasitetin dhe saktësinë e të dhënave. Në këtë proces do të përfshihen edhe tetë institucione shtetërore dhe gazetarët.
REXHEP QAMILI
