Maqedoni

VMRO: Jo dygjuhësisë dhe afatit për PPS-në; BDI: Merrni vendime pa emocione

13.01.2017 16:44

VMRO-DPMNE dhe Koalicioni “Për Maqedoni më të mirë” nuk do t’i pranojë kërkesat e BDI-së edhe në rast të mosformimit të qeverisë...

VMRO ka qenë e prerë, se nuk do të lejojë ndryshimin e Kushtetutës me qëllim që dygjuhësia të jetë zyrtare në tërë territorin e vendit dhe të vazhdohet mandati i Prokurorisë Publike Speciale. 
 
“Pa marrë parasysh rezultatin e negociatave për formimin e qeverisë në periudhën e ardhshme, pa marrë parasysh se a do të formohet qeveria e re dhe kush do ta formojë atë, VMRO-DPMNE dhe Koalicioni “Për Maqedoni më të mirë” nuk do të zhvillojë bisedime dhe as nuk do të lejojë ndryshimin e Kushtetutës, me çka do të mundësohej dygjuhësia zyrtare në tërë territorin dhe vazhdimi i mandatit të PSP-së”,- thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.
 
Për partinë e Gruevskit, Prokuroria Speciale është instrument politik për shantazhimin e çdo politikani i cili do të luftojë për interesat kombëtare të popullit maqedonas dhe interesat shtetërore të Maqedonisë dhe qytetarëve të saj. 
 
Nga BDI, përmes një reagimi të fundit, porosisin VMRO-në që mos të ndikohet nga emocionet, por të veprojë me përgjegjësi dhe racionalitet.
 
“Përdorimi i gjuhës shqipe në përputhje me Marrëveshjen e Ohrit dhe Kushtetutën, e barabartë me gjuhën maqedonase, zbardhja e rasteve gjyqësore, si dhe integrimi euroatlantik janë pikat me të cilat do ta bëjnë shoqërinë më të fortë, më të bashkuar dhe më të qëndrueshme. Që nga fillimi i krizës politike në vend, Bashkimi Demokratik për Integrim ka insistuar në përmbyllje transparente të procesit nëpërmjet zbardhjes së tërësishme të skandalit të përgjimeve dhe bartjes së përgjegjësisë”,- thonë nga BDI. 
 
Ndaj kushteve të BDI-së, ndërkohë, kanë reaguar edhe nënshkruesit e tjerë të deklaratës së përbashkët, Koalicioni “Rilindje me Besë” dhe “Aleanca për shqiptarët”.
 
Nga Lëvizja BESA thonë se për ata është valide deklarata e partive shqiptare dhe nuk komentojnë kushtet e reja që publikohen nga BDI.
 
“Partitë shqiptare për pikat e deklaratës së përbashkët janë zotuar para shqiptarëve të Maqedonisë, dhe nëse BDI-ja heq dorë nga ato pika, nuk lë askënd në lloç përpos vetvetes”,- thuhet në reagimin e Lëvizjes Besa. 
 
Nga “Aleanca për shqiptarët” thonë se qëndrimi i tyre prej para dy vjetësh ka qenë unifikimi i qëndrimeve të partive politike shqiptare në Maqedoni.
 
“Përgjigjemi vetëm për konceptin politik të platformës, por jo edhe për pazaret politike që mund të bëhen gjatë koalicionimeve të mundshme për qeveri. Dhe, në fund, përsëri insistojmë, të drejtat kolektive shqiptare të jenë mbi partitë politike”,- thuhet në reagimin e “Aleancës për shqiptarët”. 
 
Nga LSDM nuk komentojnë nëse në rast koalicionimi do t’i pranonin këto kushte. 
 
Nga BDI thonë se zyrtarizmi i gjuhës shqipe, zgjatja e mandatit të Prokurorisë Speciale dhe përshpejtimi i procesit të eurointegrimeve janë çështjet kyçe për të cilat nuk do të lëshohet pe gjatë negociatave për formimin e Qeverisë së re me cilëndo nga partitë maqedonase. 
 
ERSAN PARAZITI