Maqedoni

Selmani: kërkesat e BDI-së janë reale

13.01.2017 17:45

Eksperti juridik, Bashkim Selmani, vlerëson se katër çështjet për të cilat BDI ka vendosur të mos negociojë gjatë bisedimeve për formimin e qeverisë...

Eksperti juridik, Bashkim Selmani, vlerëson se katër çështjet për të cilat BDI ka vendosur të mos negociojë gjatë bisedimeve për formimin e qeverisë, përkatësisht të cilat duhet të pranohen që në fillim nga pala maqedonase, janë çështje reale dhe në kuadër të normave kushtetuese.
 
Prej tyre vetëm njëra ka të bëjë ekskluzivisht me shqiptarët, përkatësisht rregullimi i statusit të gjuhës shqipe, e cila është një e drejtë natyrore, thotë Selmani.
 
Madje, sipas tij, qëndrimi i BDI është një formë e reduktuar e Deklaratës së përbashkët të partive shqiptare, nga e cila nuk do të duhej të lëshohet pe.
 
“Nga të gjitha ndërhyrjet që bëhen dhe kërkohen nga faktori shqiptar është vetëm një e drejtë natyrore dhe një e drejtë ligjore që duhet të pranohen në mënyrë të drejtë nga faktori maqedonas. Mirëpo është dyshimi i parë që, kryekëput, vetë BDI, si parti fituese në këtë situatë, gjithmonë insiston që të gjejë forma se si të jetë më e përkapshme edhe për faktorin maqedonas, që, për mendimin tim, është një gabim për arsye se ajo është platformë, e cila është e kapshme dhe e përshtatshme dhe për legjislacionin e Maqedonisë, por, është e mbështetur edhe në konventat ndërkombëtare”,- deklaroi profesori universitar, Bashkim Selmani.
 
Sipas Selmanit, RM që nga mëvetësimi ka pasur qasje joreale dhe jofaktike ndaj shqiptarëve dhe tani për herë të parë partitë politike shqiptare janë unifikuar në një platformë. Sa i përket kërkesës për barabarësi gjuhësore, Selmani vlerëson se kjo është e drejtë natyrore e cila duhet të ligjësohet, ndërkaq sa i përket aspektit kushtetues dhe ligjor, ai vlerëson se Maqedonia nuk i ka trajtuar drejtë dhe mirë shqiptarët, si popullsi autoktone.
 
“Në rast se faktori maqedonas nuk i përfill apo përkap këto kërkesa, atëherë do të jetë mirë që faktori politik shqiptar, me një platformë të këtillë, të kërkojë ndihmë nga faktori ndërkombëtar që të krijohet një marrëveshje e re mes taborit shqiptar dhe atij maqedonas, e cila do të vinte në funksion shtetin”,- theksoi profesori universitar, Bashkim Selmani.
 
SHPËTIM NUREDINI