Maqedoni
Sasho Ordanovski: qeverinë e re do ta formojnë LSDM dhe BDI; Ramadan Ramadani: Maqedonia ka nisur të çlirojë shtetin nga partia; Malinka Ristevska: angazhimi për reformat, vetëm deklarativ
13.01.2017 18:29
Situata paszgjedhore, kombinimet e mundshme për koalicionin e ri qeverisës, eurointegrimet dhe disbalanci etnik u debatuan në kuadër...

Situata paszgjedhore, kombinimet e mundshme për koalicionin e ri qeverisës, eurointegrimet dhe disbalanci etnik u debatuan në kuadër të temës “Maqedonia pa kokë” organizuar nga OJQ “Civil”.
Publicisti, Sasho Ordanovski, beson se qeverinë e re do ta formojnë LSDM dhe BDI, ndërsa platformën e partive shqiptare e quan dokument taktik.
“Tek unë nuk ka asnjë dilemë se ne jemi duke u përgatitur për një qeveri mes BDI-së dhe LSDM-së, kjo nuk do të formohet së shpejti, do të marrë edhe një javë. Bëhet fjalë për një teatër që doemos duhet të kalohet. Platforma po e kryen misionin që të mjegullojë tema të rëndësishme”,- deklaroi panelisti, Sasho Ordanovski.
Ndërkohë, pjesëmarrësi në debat, Ramadan Ramadani, vlerësoi se Maqedonia është në rrugë për çlirimin e shtetit nga partia, ndërsa për platformën e përbashkët të subjekteve shqiptare tha se vjen si rezultat i dështimeve të BDI-së.
“Mendoj se kësaj radhe nuk mjaftojnë vetëm shifrat matematikore për ta formuar qeverinë, por janë dy proceset e Maqedonisë, e cila ka nisur një proces të çlirimit të shtetit nga partia. Platforma dëshmon se BDI ka pranuar se asnjëra prej atyre pikave nuk është zbatuar”,- theksoi panelisti, Ramadan Ramadani.
Sipas Malinka Ristevskës, në Maqedoni të gjitha partitë zotohen se bëjnë përpjekje për procesin euroatlantik, por zakonisht kjo mbetet vetëm deklarativisht.
“E pamë qartë se nga VMRO-DPMNE u shprehën kundër vazhdimit të mandatit të PPS-së, reformat prioritare i përmendin vetëm deklarativisht. Nga ana tjetër, BDI, e cila gjithmonë e thotë në mënyrë deklarative se si bazë të saj ka integrimin europian, është në test në të cilin vazhdimisht bie”,- u shpreh panelistja, Malinka Ristevska.
Pjesëmarrësit në debat nënvizuan se stërzgjatja e procesit për formimin e kabinetit të ri qeverisës mund të jetë në dëm të vendit dhe vetë atyre që tentojnë të blejnë kohë.
NAIM RAMADANI
