USHT-ja nderon poeten Lindita Ahmeti
USHT-ja ka organizuar një manifestim të veçantë letrar mbrëmë në objektet e fakultetit të arteve. Studentët kanë recituar poezitë e poetes Lindita Ahmeti, duke promovuar kështu veprat e saja për kënaqësinë e të gjithë adhuruesve të vargut të bukur……….

USHT-ja ka organizuar një manifestim të veçantë letrar mbrëmë në objektet e fakultetit të arteve. Studentët kanë recituar poezitë e poetes Lindita Ahmeti, duke promovuar kështu veprat e saja për kënaqësinë e të gjithë adhuruesve të vargut të bukur. USHT-ja ka nderuar edhe me një mirënjohje poeten Lindita Ahmeti për të gjithë kontributin e saj në letërsi dhe për t’i dëshiruar vazhdimin e këtij kontributi edhe në të ardhmen.
“Ne emër të USHT-së dhe në emrin tim personal, poetes i dëshiroj suksese në zhvillimin e krijimtarisë së saj letrare”, theksoi rektori i USHT-së, Vullnet Ahmeti.
“Qëllimi kryesor ishte të ketë një takim me një poete të jashtëzakonshme, me një zë shumë të veçantë në letërsinë moderne shqiptare dhe mendoj që kjo mënyrë komunikimi mes krijuesve dhe recipientëve, do të vazhdojë gjithnjë në organizime të Fakultetit Filologjik dhe ne që na takojnë më tepër, katedrës se Gjuhës dhe Letërsisë Shqiptare”, u shpreh shkrimtari Selajdin Salihu.
“Kjo mbrëmje është si një kurorë që e ka merituar poetesha Lindita Ahmeti. Është mirë që USHT-ja u përkujdes për këtë nder që ia bëri sonte, duke pasur parasysh opusin e saj letrar, që ka lënë gjurmë në letërsinë bashkëkohore shqiptare përmes poezisë, që do ta kisha quajtur “të mençur”, që bazohet në njohuritë e fituara nga mitologjia. Emocioni është ai që do e bëjë të njohur poezinë e saj edhe në të ardhmen”, tha poeti Lulzim Haziri.
Vetë Lindita është shumë e emocionuar, ashtu siç emocionohet çdo poet kur sheh vlerësimin e vargjeve të tij.
“Mu bë një befasi e veçantë, sepse studentët kishin punuar me përkushtim dhe e pashë me një sy tjetër atë që kisha shkruar unë vetë. Më erdhi shumë mirë, sepse mes tyre pashë që mund të ketë edhe poet të ardhshëm, me përkushtimin që kishin punuar them se mes tyre ka student që do ta duan vargun edhe më tej, ky është misioni i poezisë dhe i yni që shkruajmë, që ta vazhdojnë rrugën gjeneratat e tjera”, u shpreh poetesha Lindita Ahmeti.
Poetesha Lindita Ahmeti shpalosi edhe vetë pjesë të emocioneve që e bëjnë ta shohë me optimizëm jetën, ashtu siç di ta bëjë vetëm ajo përmes poezisë, që gjithnjë shkakton emocione të forta për të gjithë ne. (Flutura Latifi, TVM2)
