Mustafa, pas trenit rradhën e ka muri në Mitrovicë
Kanë vazhduar edhe sod tensionet politike në relacionin Prishtë-Beograd....

Kanë vazhduar edhe sod tensionet politike në relacionin Prishtë-Beograd. Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka deklaruar se pas moslejimit të trenit illegal serb të futet në Kosovë, rradhën e ka muri i ndërtuar në Mitrovicë, i cili sipas tij shumë shpejt do të rrënohet.
“Muret ndarëse duhet të hiqen. Muri i ndërtuar në pjesën veriore të Mitrovicës, jo vetëm pa leje por edhe në kundërshtim me rregullat urbane dhe ligjore, do të rrënohet. Është në kompetencë fillestare të pushtetit lokal rrënimi i objekteve të kategorisë së dytë, por është edhe në përgjegjësi të pushtetit qendror të ndërmerr masa ligjore”, ka shkruar Kryeministri Mustafa në një postim në Facebook.
Të gjitha çështjet me fqinjët jemi të interesuar t’i zgjidhim përmes dialogut. Konsideroj se koha e provokimeve, konflikteve dhe luftërave duhet të ketë shkuar, thekson më tej Mustafa. Provokimet të cilat kohëve të fundit në mënyrë sistematike po i bën shteti serb në Kosovë, duke kërkuar që deputetët dhe ministrat serbë në Kuvend përkatësisht në Qeverinë e Kosovës duhet të përfaqësojnë dhe mbrojnë qëndrimet e Qeverisë së Serbisë, fletarrestet e lëshuara ndaj luftëtarëve të UÇK-së dhe arrestimi i z. Haradinaj në Francë mbi këtë bazë, ndërtimi i murit në pjesën veriore të Mitrovicës nga Beogradi në bashkëpunim me strukturat e tyre paralele në Kosovë dhe së fundi tentimi që të futet një tren në vendin tonë pa leje të institucioneve të Kosovës, i veshur me parulla që provokojnë qytetarët, ligjin dhe rendin kushtetues, janë veprime të papranueshme, të panevojshme dhe nuk i kontribuojnë fqinjësisë së mirë dhe normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve tona.
Por presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliq, është kërcnuar se Serbia është e gatshme ta dërgoj ushtrinë e saj në Kosovë, nëse popullata serbe në Kosovë rrezikohet. I pyetur se a është Serbia e gatshme që ta dërgoj ushtrinë në Kosovë, Nikolliq tha se “nëse serbët vriten, po”. Por kryeminsitri i Kosovës Isa Mustafa vlerëson se Serbia nuk ka nevojë ti mbroj serbët e Kosovës.
“Serbët e Kosovës janë qytetarë të barabartë të Republikës sonë. Ata nuk ka nevojë që t’i mbrojë Beogradi dhe t’i ndajë me mure nga qytetarët e tjerë, sepse në asnjë formë nuk janë të rrezikuar dhe nuk do të jenë të rrezikuar. Kemi nevojë të komunikojmë dhe të punojmë të gjithë për të ndërtuar një perspektivë të përbashkët evropiane”, shprehet Mustafa.
Derisa Nikoliq vlerëson se dita e djeshme ka kaluar në teh të konfliktit dhe theksoi se dërgimi i njësiteve speciale të policisë së Kosovës në pjesën veriore, ku është pritur treni nga Beogradi, ishte shenjë se Prishtina dëshironte konflikt.
