BDI insiston që kryeparlamentari të jetë shqiptar
BDI për formimin e koalicionit qeveritarë me VMRO-DPMNE-në, këmbëngul në kërkesat e saj që kryetari i Parlamentit të jetë nga radhët e BDI-së dhe seancat plenare t’i udhëheq në gjuhën shqipe…..

BDI për formimin e koalicionit qeveritarë me VMRO-DPMNE-në, këmbëngul në kërkesat e saj që kryetari i Parlamentit të jetë nga radhët e BDI-së dhe seancat plenare t’i udhëheq në gjuhën shqipe. Kjo është njëra nga kërkesat kyçe të partisë së Ahmetit drejtuar VMRO-DPMNE-së si kusht për të vazhduar më tutje negociatat për formimin e Qeverisë së re me VMRO-DPMNE-në.
Epilogu i negociatave mes BDI-së dhe VMRO-së do të dihet sonte, pasi që për nesër është caktuar mbledhja konstituive e Kuvendit, ku po në këtë seancë është caktuar të zgjidhet edhe kryeparlamentari. Nga ana tjetër, seanca e radhës e Kuvendit është caktuar për ditën e hënë, ku pritet inaugurimi i presidentit Gjorge Ivanov, ndërsa këtë të fundit BDI nuk e njeh si legjitim, që është edhe problem i negociatave.
Mësohet se lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, ka porositur grupin negociues të mos lëvizin nga pozicionet në bisedime, pavarësisht kërcënimeve të VMRO-së në media se mund t’i ofrojë koalicion PDSH-së nëse BDI-ja nuk ulë kërkesat. Nga BDI-ja thonë se çështja e njohjes së legjitimitetit të Ivanovit është vetëm spekulim i medieve, që mund të jetë i porositur nga VMRO-ja, për të arsyetuar refuzimin eventual që BDI-ja mund t’i bëjë ofertës së VMRO-së.
Sipas partisë së Ahmetit, po bisedohet në inkorporimin e platformës të cilën e kanë votuar 70% e shqiptarëve dhe nëse kjo nuk arrihet, nuk ka kuptim që të pranojnë koalicion qeveritar vetëm për të punësuar disa ministra.
Ndërsa nga VMRO-DPMNE, me anë të një reagimi me shkrim, thotë se nëse BDI nuk e pranon legjitimitetin e Ivanovit, ajo është një problem i BDI-së dhe se kjo parti nuk do mund të ketë bashkëpunim me ta. “Për Gjorge Ivanovin votuan 530 mijë qytetarë nga të gjitha nacionalitetet. Mospranimi i legjitimitetit të tij është problem vetëm i atij që nuk e pranon, sidomos ndaj atyre që duhet mbase edhe të bashkëpunojnë me Ivanovin. Do ishte jo logjike çfarëdo qoftë bashkëpunimi me atë i cili nuk e pranon, prandaj ky është problem i atij që nuk e pranon dhe ata le ta mendojnë”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së. (Afrim Tanallari, TVM2)
