Botë

Trump: NATO është vjetruar, Merkel gaboi me emigrantët

16.01.2017 09:49

Me Donald Trumpin president, edhe për europianët do të vështirësohet paksa udhëtimi në Shtetet e Bashkuara...

Në intervista dhënë “Sunday Times”-it dhe gjermanes “Bild”, manjati tregon se me t’u vendosur në Shtëpinë e Bardhë, një ndër veprimet e para të tij do të jetë sigurimi i kufijve. Do të aplikohen kontrolle ekstreme për ata që mbërrijnë nga pjesë të botës të njohura për ekstremizmin islamik, e masa të rrepta parashikohen edhe për europianët.
 
“Njerëzit nuk duan që të vijnë njerëz të tjerë dhe të shkatërrojnë vendin e tyre. Ne do t’i forcojmë kufijtë nga dita që marr detyrën”,- deklaroi presidenti i zgjedhur i ShBA-ve, Donald Trump.  
 
Trump shënjestroi edhe kancelarin, Angela Merkelin, në komentet e tij. Vendimi i saj për të pranuar më shumë se një milion emigrantë në këndvështrimin e tij ishte një gabim trashanik.
 
“Kam shumë respekt për kancelaren, është e jashtëzakonshme si drejtuese, por me lejimin e emigrantëve të paligjshëm në vendin e saj bëri një gabim katastrofik. T’i hapësh dyert gjithë atyre njerëzve, pavarësisht se nga vijnë, pa ditur asgjë për ta, për mua është e gabuar”,- tha presidenti i zgjedhur i ShBA-ve, Donald Trump.  
 
Çështjen e emigrantëve ai e lidhi edhe me shkëputjen e Britanisë nga Bashkimi Europian. “Po të mos kishte qenë problemi i tyre, besoj se nuk do të kishte pasur Brexit”,- ishin fjalët e miliarderit. 
 
Tramp theksoi se mund t’iu japë fund disa sanksioneve ekonomike kundër Rusisë në këmbim të një marrëveshjeje me presidentin rus, Vladimir Putin, për të reduktuar armët bërthamore.
 
Tramp kritikoi Moskën për ndërhyrjen e saj ushtarake në luftën civile të Sirisë, duke e përshkruar atë si “një gjë shumë të keqe”, e cila ka çuar në “situatë të tmerrshme humanitare”.
 
Presidenti po ashtu tha se NATO-ja është “vjetruar” dhe se nuk ka bërë shumë për të luftuar terrorizmin. Megjithatë, ai shtoi se aleanca është ende “shumë e rëndësishme” për të.
 
Presidenti i zgjedhur, Donald Tramp, do të marrë detyrën e presidentit të 45-të të Shteteve të Bashkuara më 20 janar.
 
GAZMEND KURTISHI