Botë
Përplasje Kosovë-Serbi, ndërkombëtarët kërkojnë maturi
16.01.2017 12:17
Provokimet që po ia bën Serbia Kosovës, si ai me trenin ilegal, murin në Mitrovicë, apo arrestimin e Haradinajt...

Provokimet që po ia bën Serbia Kosovës, si ai me trenin ilegal, murin në Mitrovicë, apo arrestimin e Haradinajt janë të papranueshme për autoritetet kosovare, ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.
Ai ka paralajmëruar se pas kthimit të trenit, radhën e ka rrëzimi i murit në Mitrovicë.
Por, presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliq, nuk ka ngurruar të kërcënohet se Serbia është e gatshme ta dërgojë ushtrinë e saj në Kosovë me pretekstin e rrezikimit të popullatës serbe.
E derisa ka përplasje ne relacionin Serbi-Kosovë, shefja e Diplomacisë europiane, Federica Mogherini, dhe ekipi i saj po e vëzhgojnë nga afër zhvillimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës, duke i kushtuar vëmendje të veçantë situatës së krijuar pas trenit serb me afishe provokuese tentoi të hyjë në territorin e Kosovës.
“BE-ja është në kontakt të vazhdueshëm me të dyja palët për ngjarjet e së shtunës. Përfaqësuesi i lartë ka folur tashmë me kryeministrin Vuçiç”,- ka pohuar për “Tanjug” zëdhënësja, Maja Koçijançiç.
Ajo në një deklaratë me shkrim thotë se Brukseli u bën thirrje të dyja palëve për të treguar përmbajtje dhe maturi, si dhe t’i kthehen çështjes së dialogut.
“Dialogu është mënyra e vetme për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura me interes të përbashkët”,- ka theksuar Koçijançiç.
