Maqedoni

Qyteti i Shkupit: Në rrugët e kryeqendrës janë hedhur 50 ton kripë

16.01.2017 12:29

Me fillimin e reshjeve të borës, mëngjesin e sotëm janë hedhur 50 tonelata kripë rrugëve të kryeqendrës...

Me fillimin e reshjeve të borës, mëngjesin e sotëm janë hedhur 50 tonelata kripë rrugëve të kryeqendrës, ndërsa ekipet e shërbimeve dimërore janë në teren dhe po e pastrojnë borën nga bulevardet dhe rrugët e qytetit.
 
Nga qyteti i Shkupit thonë se “ekipet e shërbimeve dimërore intervenojnë në të gjitha rrugët dhe pikat kritike, duke e pastruar borën me anë të mekanizmit. Paralelisht me rrugët, ekipet e ndërmarrjeve publike të Qytetit të Shkupit punojnë në pastrimin e borës dhe akullit nga trotuaret dhe hapësirat publike”.
 
Nga Qyteti i Shkupit bëjnë të ditur se për pastrimin e trotuareve dhe hapësirave publike janë angazhuar 100 të punësuar dhe makineritë e Ndërmarrjes Publike “Higjiena Komunale”, “Parqet dhe gjelbërimet”, si dhe të punësuar të Ndërmarrjes “Ujësjellësi dhe kanalizimi”.
 
Nga ujësjellësi i Shkupit thonë se temperaturat e ulëta ndikojnë drejtpërsëdrejti në mekanizmin dhe faktorin njeri që duhet t’i sanojë defektet që paraqiten në këtë periudhë.
 
“Lidhur me sanimin e defekteve që shkaktohen në këto periudha të motit jo të mirë, ndërmarrja jonë po i shfrytëzon të gjitha mekanizmat e mundur mekanike dhe njerëzore për riparimin e defekteve”,- theksuan nga NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi”-Shkup.
 
Nga kjo ndërmarrje njëherit apelojnë që nëse qytetarët vërejnë defekt të ujësjellësit në rrugë, të paraqesin në telefonin kujdestar: 02-307-3010, ndërsa këshillat banesorë t’i izolojnë instalimet e hapura në ndërtesa, që të mos vijë deri te ngrirja e tyre. 
   
GYLTENE SINANI