UKRAINË

20 të vrarë në Maripol të Ukrainës

09.05.2014 19:13

Luftimet shpërthyen kur forcat e sigurisë sulmuan stacionin policor të mbajtur nga seperatistët pro-rus…...

Ministria e Brendshme e Ukrainës ka njoftuar për rreth 20 "terrorist” të vrarë sot në luftimet mes forcave të sigurisë dhe mbështetësve pro-rus në portin lindor të Ukrainës, Mariupol. Luftimet shpërthyen kur forcat e sigurisë sulmuan stacionin policor të mbajtur nga seperatistët pro-rus.

Ndërkohë presidenti rus, Vladimir Putin, ka arritur në Krime në vizitën e parë të tij në Gadishull, që nga aneksimi nga Rusia në muajin mars.

Putin iu drejtua marinarëve rus në gjirin e Sevastopolit në përvjetorin e fitores së Ushtrisë së Kuqe kundër nazistëve në vitin 1945. Ai falënderoi forcat e armatosura për rolin e tyre në Luftën e Dytë Botërore dhe mbrojti aneksimin e Gadishullit të Krimesë në Federatën Ruse.

Më herët presidenti rus mori pjesë në paradën ushtarake që zgjati më shumë se një orë në Sheshin e Kuq në Moskë. Në fjalën e tij Putin shmangu krizën në Ukrainë.

“Është një ditë feste kur triumfon forca e paepur e patriotizmit, kur të gjithë e ndjejmë shumë ç’farë do të thotë t’i mbetesh besnik mëmëdheut dhe sa e rëndësishme është të mbrojmë interesat e tij”, deklaroi presidenti rus, Vladimir Putin.

Por, Ukraina protestoi ashpër, duke e cilësuar vizitën një shkelje të rëndë të sovranitetit të saj. Ministria e Jashtme e Ukrainës, në një deklaratë tha se "Ukraina shpreh kundërshtimin e saj të fortë mbi vizitën e paautorizuar të presidentit rus, Vladimir Putin, në Republikën autonome të Krimesë dhe në qytetin Sevastopol, të cilat janë okupuar përkohësisht nga Rusia".  (Rejhane Bushi-Metaj, TVM2)