Botë

Treni i Serbisë, Basha: Qeveria të reagojë, jo vetëm të bëjë statuse në fb

16.01.2017 13:36

Opozita shqiptare reagon ashpër ndaj incidentit me trenin serb të shtunën...

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e cilësoi një provokim të hapur që kërkon të sjellë destabilizimin, ndërsa i bëri thirrje NATO-s e BE-së që të reagojnë, pasi kërcënohet siguria e rajonit.
 
“I kërkojmë kryeministrit të bëjë më shumë. Unë dhe PD-ja jemi të gatshëm që të japim kontributin tonë në një reagim dhe mbështetje të plotë ndaj shtetit dhe institucioneve të Kosovës për të parandaluar përshkallëzimin e situatës dhe rikthimin e paqes e sigurisë në rajon”,- deklaroi kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha.
 
Më tej, lideri i opozitës tha se reagimi i Tiranës zyrtare nuk ka qenë i plotë, pasi të reagosh nëpërmjet facebook-ut nuk është aspak serioze. Madje, ai sugjeroi që të ngrihen të gjitha partitë shqiptare në një qëndrim për këtë çështje.
 
“Përgjigja ndaj këtij provokimi i takon në radhë të parë shtetit të Kosovës, por duhet dhe përgjigje nga Shqipëria. Është e pamjaftueshme që qeveria jonë të reagojë me deklarata për shtyp apo në Facebook”,- tha kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha.
 
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, reagoi dje në lidhje me trenin provokues serb. Në përgjigje të një komentuesi në FB, Rama përgjigjet duke e konsideruar provokimin si manovër politike. Ai tha se Serbia do të vuajë makthin e së shkuarës deri kur të njohë pavarësinë e Kosovës.
 
LULJETA NDOKA