Maqedoni
Zgjatja e pushimit dimëror, qytetarët: Vendim i mirë, mos na sëmuren fëmijët
16.01.2017 14:49
Qytetarët përshëndesin vendimin për zgjatjen e pushimit, pasi kështu evitohet jo vetëm përhapja e gripit...

Qytetarët përshëndesin vendimin për zgjatjen e pushimit, pasi kështu evitohet jo vetëm përhapja e gripit, por edhe ndonjë aksidentim i mundshëm i fëmijëve gjatë rrugës në shkollë në këto ditë ku rrugët janë të mbuluara me borë dhe akull.
Të anketuar nga TVM2, qytetarët flasin edhe për problemin tjetër, të ngrohjes së pamjaftueshme të objekteve shkollore.
“Mendoj se është mirë për arsye se ka rrugë të papastruara, mund të lëndohet ndonjë nxënës. Edhe gripi e bën të veten, edhe kushtet pak janë të dobëta nëpër shkolla, ndonjëherë ndalet rryma, dru në disa shkolla nuk ka të mjaftueshme”,- u shpreh një qytetar.
“Po mirë është që është vazhduar pushimi dimëror, duhet edhe më tej të vazhdohet, pasi që është ftohtë dhe më shumë do të sëmuren prej gripit”,- theksoi një qytetar.
“Është mirë që është vazhduar pushimi, se kushtet janë të vështira”,- tha një qytetar.
Zgjatja e pushimit dimëror të fëmijëve u pa si mundësi e mirë nga agjencitë turistike për vazhdimin e sezonit të ofertave turistike. Ata thonë se ka kërkesa të shtuara për pushime dimërore më së shumti për jashtë Maqedonisë.
“Për shkak të pushimit që e kanë vazhduar, kërkesa ka për në vendet turistike dimërore, siç janë Bansko, Borovec, por edhe në destinacionet europiane siç janë Gjermania, Zvicra… Ata që e kanë kuptuar për vazhdimin e pushimit, d.m.th. që e kanë pasur të rezervuar pushimin dimëror, e kanë shtyrë për dy–tre ditë, pesë ditë”,- theksoi Liridona Aliu nga një agjenci turistike.
Këto ditë shtesë të pushimit vjetor po shfrytëzohen edhe nga transporti urban në Shkup për të dezinfektuar autobusët para kthimit të nxënësve në shkolla. Zgjatja e pushimit, ndërkohë, ka shtyrë edhe datën e mbajtjes së testimit ekstern, që për maturantët do të mbahet prej më 30 janar deri më 3 shkurt.
VLORA LATIFI-TOPOJANI
