Reshjet e reja të borës, komunat kërkojnë ndihmë nga DMSh

16.01.2017 17:16

Reshjet e reja të borës sërish bllokuan disa magjistrale dhe vështirësuan komunikacionin rrugor në akset rrugore...

Për disa orë u bllokua magjistralja Makedonski Brod- Zdunje, që lidh 11 fshatra.
 
Për shkaqe sigurie, gjatë ditës së sotme herë pas here është vendosur ndalesë e përkohshme qarkullimi të automjeteve të rënda në qafën malore Pletvar, Strazh dhe Presekë, si dhe në rrugën magjistrale Ohër - Gostivar dhe Mavrovë - Dibër. Në Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim në Shkup kanë arritur kërkesat e para të komunave për ndihmë.
 
Makineritë e kësaj drejtorie intervenuan në Majën e Zezë në Kitkë, rrugës së vjetër për në Kumanovë, Staronagoriçan, Tanushë, Malinë dhe Brezë.
 
“Kërkesa e parë sot ka ardhur nga komuna e Studeniçanit në drejtimet e Kitkës, në Majën e Zezë. Ne jemi duke i mobilizuar dhe menaxhuar  ndërmarrjet tona të cilat i kemi në terren dhe sigurisht që do t’u përgjigjen pozitivisht kërkesave të komunave që nuk mund vetëm të ballafaqohen me këtë situatë”,- deklaroi zëvendësdrejtori për mbrojtje dhe shpëtim, Ekrem Zendeli.
 
Nga Enti i Hidrometeorologjisë thonë se reshjet e borës do të vazhdojnë deri ditën e enjte. Gjatë kësaj fundjave pritet stabilizim i kohës dhe temperaturë jo më të ulët se minus 1 gradë celsius.                                                                                  
“Gjatë ditës së mërkurë dhe të enjte, në gjithë vendin tonë priten reshje të reja të borës me intensitet më të madh. Në disa zona të vendit, shtresa e borës së re pritet të arrijë në 30 centimetra. Nga e premtja në të gjithë vendin do të stabilizohet koha. Temperaturat do të lëvizin prej minus 1 deri më 5 gradë celsius dhe në asnjë mënyrë nuk parashikohet të ketë temperatura polare si më herët”,- theksoi sinoptikanja, Dushanka Tanushevska.
 
Komunikacioni ajror dhe hekurudhor deri tani po zhvillohet pa pengesa. Nga Automoto e Maqedonisë u apelojnë drejtuesve për kujdes të veçantë gjatë vozitjes së automjeteve dhe përshtatje të shpejtësisë sipas kushteve dimërore dhe në komunikacion të mos kyçen automjetet pa zinxhir dhe goma dimërore.  (Rexhep Qamili, TVM2)