Maqedoni
Reshjet e borës, ulet ndjeshëm numri i të sëmurëve nga gripi
16.01.2017 17:28
Bora ka ndikuar në uljen e numrit të të sëmurëve nga gripi në Maqedoni...

Gjatë fundjavës është vërejtur ulje drastike e pacientëve të vegjël në krahasim me javët e kaluara, ku janë kontrolluar rreth 150 fëmijë brenda natës, theksoi drejtoresha e Spitalit për fëmijë, Aspasia Sofjanova.
Gripi sezonal gjithsesi ka shkaktuar komplikime shëndetësore të shumta tek fëmijët, shumica prej tyre kanë pasur ndezje të organeve respiratore, si dhe infektime në sistemin qendror si pasojë e gripit.
“Kemi vërejtur ulje drastike të pacientëve të cilët kanë kërkuar intervenime këtu tek ne. Tani për kontroll në spital vijnë prej 15 deri 20 fëmijë me simptoma të temperaturës, që nuk do të thotë që gjithmonë është pasojë e gripit. Për momentin numri i fëmijëve të hospitalizuar është zvogëluar, për Vitin e Ri kanë qenë rreth 180 fëmijë, ndërsa tani, sipas raportit të spitalit, në mëngjes kishim rreth 120 fëmijë të hospitalizuar”,- deklaroi drejtoresha e Spitalit të fëmijëve, Aspasia Sofjanova.
Sipas të dhënave të fundit të Institutit të Shëndetit Publik, në shtatë ditët e para të 2017-s, në vend është ulur numri i të prekurve nga gripi, ku janë regjistruar 8.067 raste të reja të të sëmurëve nga gripi në krahasim me javën e fundit të muajit dhjetor, kur u regjistruan 9485 raste.
Por, javën e kaluar si pasojë e gripit u regjistruan dy raste të vdekjeve. Bëhet fjalë për fëmijë në moshë 3 dhe 4 vjeç nga Kërçova dhe Gostivari, të cilët u hospitalizuan në Klinikën për sëmundje të fëmijëve në Shkup në Repartin për kujdes intensiv.
REJHANE BUSHI-METAJ
