Temperaturat e ulëta, të pastrehët kërkojnë ndihmë në pikat përkujdesëse
Nga i ftohti siberian që përfshiu Maqedoninë, u shënua edhe viktima e katërt para disa ditëve....

Nga i ftohti siberian që përfshiu Maqedoninë, u shënua edhe viktima e katërt para disa ditëve.
Që ky numër mos të rritet, ekipet e shpëtimit të Kryqit Kuq janë vënë në kërkim të personave të pastrehë.
Në punktin e të pastrehëve në “Mumin Potok”, vetëm gjatë ditës kanë kërkuar ndihmë pesë familje, ndërsa brenda dy javëve ka pasur 215 njerëz që kanë fjetur aty.
“Kemi pasur nëntë thirrje, tetë thirrje janë pozitive, faktikisht janë gjetur personat, janë tre të pastrehë të cilët janë sjellë në punktin për të pastrehë “Mumin Potok”, të tjerët janë familje të cilat janë të strehuar në “Ranka” dhe një familje është strehuar në “25 maji”, ndërsa këtu janë 95% raste të personave që janë të vetëm dhe pa familje. Deri sot, pra në 17 netët e kaluara, kemi pasur 215 bujtime, prej atyre janë 35 persona të cilët kanë kërkuar strehim në punktin e të pastrehëve në “Mumin Potok”. Vetëm gjatë ditës së sotme kemi pesë intervenime në familje. Qytetarët kanë nevojë më të madhe dhe ne mundohemi të jemi prezentë ku ata kanë nevojë”,- deklaroi Argjent Çilafi nga Kryqi i Kuq – Shkup.
Të pastrehët janë të kënaqur me kushtet në këtë pikë përkujdesjeje, por ata kërkojnë ndihmë edhe nga institucionet e shtetit për t’u siguruar punë dhe kushte për jetesë.
“Unë i kam 21 vjet, më herët kam jetuar në lagjen Kisella Vodë, në një ndërtesë të braktisur, aty kam fjetur. Para kësaj unë jam rritur në jetimoret “25 maji”, në “Ranka Milanovic” dhe në “11 tetori”, por më larguan sepse i mbusha vitet, aty është e paraparë të qëndrojmë deri në 21 vjeç. Pastaj mora vesh për punktin e të pastrehëve dhe erdha, këtu është mirë, ngrohtë dhe kemi për të ngrënë. Aktualisht nuk punoj, por jam duke kërkuar punë, sepse jam i profesionalizuar në zanatin si bojaxhi, bravandreqës dhe xhamxhi. Pastaj njoh edhe elektronikën, pra instalimin e rrymës, sepse këta zanate i kemi mësuar në jetimore”,- theksoi i pastrehu, Ekrem Muminoviq.
“Jetoj një kohë të gjatë në tendë, por tendën ma kanë djegur dhe për këtë arsye erdha këtu, sepse përndryshe nuk do të kisha lëvizur që andej. Tani kërkoj ndihmë, falënderoj Kryqin e Kuq që më solli këtu, por kërkesa ime është që kryetari i qytetit të Shkupit të më sigurojë një tendë, sepse unë e kam rrethin tim atje, të gjithë më njohin dhe më duan, madje ata më sjellin çdo ditë për të ngrënë, ne kurrë nuk kemi pasur probleme me fqinjët”, - i pastrehu, Boshko Vllagovqa.
Punkti do të jetë i hapur deri të dielën, deri të mërkurën do të jetë i hapur 24 orë, ndërsa prej të enjten do të jetë i hapur prej orës 20 deri në orën 8 të mëngjesit. Varësisht prej temperaturave, punkti do të hapet, dhe nëse është e nevojshme mund të punojë edhe 24 orë. (Farije Dauti-Bakiju, TVM2)
