Maqedoni
Qeveria e re, afatet rrjedhin, mandatari numëron në vend
16.01.2017 17:56
Një javë nga marrja e mandatit për formimin e qeverisë së re, mandatari, Nikolla Gruevski, ende nuk i ka filluar negociatat me asnjë palë....

Nga partia e Gruevskit nuk konfirmojnë as fillimin e negociatave sipas parimit të promovuar deri tani, negociata mes dy partive fituese.
Pavarësisht deklarimit të VMRO-së se bisedimet duhet të zhvillohen mes koalicionit të kryesuar nga kjo parti dhe BDI-së në palën shqiptare, por edhe deklarimit të BDI-së se negociatat fillimisht do t’i nis me VMRO-në, një zhvillimi i tillë ende nuk është konfirmuar për opinionin. Edhe burime brenda BDI-së konfirmojnë se nuk ka ftesë zyrtare nga mandatari për fillimin e negociatave.
Pengesë për fillimin e bisedimeve sipas parimit qeveri mes fituesve për VMRO-DPMNE-në u bë fillimisht Deklarata e përbashkët e partive shqiptare dhe qëndrimi i fundit i BDI-së se çështja e zyrtarizimit të gjuhës shqipe, PPS-ja dhe eurointegrimi janë çështje të panegociueshme të cilat mandatari duhet t’i pranojë “en bloc”. Menjëherë pas publikimit të këtyre dy qëndrimeve, VMRO-DPMNE i hodhi poshtë si të papranueshme.
Ndërkaq, LSDM, e cila në vazhdimi pretendon se është ajo që do të bëjë qeverinë e re, ende nuk është prononcuar qartë nëse ka gatishmërinë të pranojë kushtin e BDI-së për tre çështjet e panegociueshme dhe kërkesat e subjekteve shqiptare të shënuara në Deklaratën e përbashkët.
Në ndërkohë, një grup intelektualësh shqiptarë u kanë bërë thirrje subjekteve shqiptare që gjatë procesit të zhvillimit të bisedimeve me partitë që marrin mandatin të kenë parasysh faktin që VMRO-DPMNE akoma udhëhiqet nga persona që kanë përgjegjësi për gjendjen katastrofale dhe për të cilët ka dyshime serioze për përfshirjen e tyre në megaskandale, shkatërrimin e institucioneve, shembjen e proceseve euroatlantike dhe shkeljen mbi dinjitetin njerëzor.
Sipas tyre, pjesa dërmuese e votuesve në mbarë shtetin janë përcaktuar për ndryshime, kurse në segmentin shqiptar ka dyfish më tepër votues që kanë votuar për ndryshime nga ata që kanë përkrahur gjendjen ekzistuese.
SHPËTIM NUREDINI
