Botë

Turqi, arrestohet terroristi i masakrës së Stambollit

17.01.2017 10:25

Autoritetet turke kanë arrestuar mbrëmë autorin e sulmit në lokalin e natës gjatë ndërrimit të viteve në Stamboll, ku gjetën vdekjen 39 persona dhe disa të tjerë u plagosën...

Ai është uzbeku, Abdulkadir Masharipov. Bashkë me të u prangosën edhe pesë persona të tjerë. Masharipov, i cili nga bashkëluftëtarët e tij njihet me emrin Abu Mohammed Khurasani, u ndalua në një banesë në Stamboll, ku jetonte bashkë me djalin e tij 4-vjeçar, një shtetas tjetër nga Kirgistani dhe tre gra.
 
Guvernatori i Stambollit tha se ai ishte trajnuar në Afganistan. Masharipov pritet të merret në pyetje, ndërsa autoritetet thanë se shenjat e gishtërinjve të gjetura në vendin e ngjarjes janë të 34–vjeçarit.
 
Që të gjithë të arrestuarit, nga Uzbekistani, Kirgistani, Somalia, Egjipti dhe Senegali dyshohet se janë pjesë e një celule të ISIS-it që strehohej në periferitë e pjesës europiane të Stambollit.
 
Të gjitha forcat turke të sigurisë ishin angazhuar prej javësh për kapjen e terroristit. Mediat turke thonë se Abdulkadir Mashirapov ishte një militant i “Shtetit Islamik” dhe një vrasës gjakftohtë. Disa orë pas masakrës, grupi terrorist mori përsipër sulmin, duke thënë së kjo ishte një kundërpërgjigje për rolin e Turqisë në aleancën ushtarake për mposhtjen e terroristëve. 
 
Terroristi uzbek kishte mbërritur në Stamboll rreth dy javë para sulmit nga një provincë e Konias. Ai ishte pjesë e një celule të ISIS në Konia, nga e cila kishte marrë mbështetje të vazhdueshme. 
 
Gjatë sulmit në lokalin e natës “Reina” në Stamboll humbën jetën 39 persona dhe u plagosën dhjetëra të tjerë. Sulmi u mor përsipër menjëherë nga ISIS, që e interpretoi atë si hakmarrje për përfshirjen ushtarake të Turqisë në Siri.
 
BELINDA KOKA-ADEMI