Maqedoni

“Eco Guerilla”: Ajri në Tetovë më i pastër pa “Jugohromin”

17.01.2017 14:06

Edhe përkundër deklaratave të menaxhmentit të “Jugohrimit”, se ajri në Tetovë nuk është më i pastër pas mbylljes së kombinatit, nga “Eko Guerila” pohojnë të kundërtën...

Ndotja në qytetin e Tetovës pas mbylljes së “Jugoromit” ka qenë më e ulët për rreth 50%, thonë nga “Eko Guerilla”.
 
“Gjatë muajve të vitin 2016 kur “Jugohrom” nuk ka punuar krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2015, Tetova ka qenë midis 40 dhe 50% më pak  e ndotur. Dallimi më i madh është vërejtur në Tetovë, ku ndotja në nivel vjetor nga mesatarja e 140-150 mikrogramësh, ka rënë për herë të parë nën 97 edhe pse katër muajt e vitit Kombinati “Jugohrom” nuk ka punuar. Rënie e ndotjes po ashtu është vërejtur edhe në Kërçovë, ku termocentrali “Osllomej” ka punuar vetëm 40 ditë gjatë viti 2016 dhe përfundimisht ajri pa “Jugohromin” është më pak i ndotur”,- deklaroi Arianit Xhaferi nga “Eko Guerilla”.
 
Ndërkohë, takimin e djeshëm që pati Sindikata e të punësuarve në “Jugohrom” me kryeministrin, e kanë quajtur takim të menaxhmentit dhe kërkesa e tyre për rihapjen e “Jugohromit” është e kundërligjshme, dhe e papranueshme, duke u shprehur se “Jugohromi” nuk duhet të fillojë punë pa vendosjen e filtrave.
 
“Kërkesa e menaxhmentit të “Jugohromit”, sa e pamë ne me takimin me kryeministrin, ka qenë takim me menaxhmentin e “Jugohromit”, jo me sindikatën, dhe kërkesa e tyre për rihapjen e “Jugohromit” është e papranueshme, sepse është e kundërligjshme. Pa filtra është e papranueshme...”,- deklaroi Arianit Xhaferi nga “Eko Guerilla”.
 
Nga “Eko Guerilla” janë shprehur se në qoftë së qeveria vendos për hapjen e “Jugohromit” pa vendosjen e filtrave, ata përsëri do t’i shfrytëzojnë të gjitha mundësitë që kanë, duke protestuar sërish, pasi shëndeti i qytetarëve është më i rëndësishëm se sa fillimi i punës së “Jugohromit” pa filtra.
 
Ndërsa për të punësuarit e “Jugohromit” që kanë mbetur pa punë këto muaj, janë shprehur se qeveria duhet t’i kompensojë dhe të kujdeset për fatin e tyre.
 
VISAR SADIKI