Trajanovski, vizitë në Entin Gjerontologjik “13 nëntori”
Pushteti lokal i kryeqendrës thotë se mbështet aktivitete për përmirësimin e cilësisë së jetës së të moshuarve, njofton TVM2...

Kryetari i Shkupit, Koce Trajanovski, gjatë vizitës së shfrytëzuesve të Entit Gjerontologjik “13 nëntori”, përkatësisht në departamentin “Nënë Tereza”, theksoi se pjesë e këtyre masave është edhe transporti publik pa pagesë për të moshuarit të martën, të premten, të shtunën dhe të dielën.
“Për departamentin “Nënë Tereza”, Qyteti i Shkupit siguroi edhe 50 kartela elektronike jo të personalizuara për transport publik për një periudhë prej një viti. Me kërkesën tuaj vendosëm edhe një stacion të ri autobusi, ulëse të reja dhe rregulluam oborrin”,- deklaroi kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski.
Trajanovski po ashtu theksoi se Qyteti i Shkupit ka siguruar edhe transport të organizuar deri te destinacionet për piknik në rajonin e Shkupit, ose në tërë territorin e Maqedonisë, me çka u mundësohet socializim më i madh personave të moshuar, transmeton TVM2.
Për këtë qëllim, në buxhetin e Qytetit të Shkupit janë ndarë 1 milion denarë. Për përkujdesjen e treguar, Trajanovski nga drejtuesit e Entit Gjerontologjik “13 nëntori” mori dhuratë një ikonë, derisa nga një e moshuar një palë çorape të thurura në dorë. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)
