Maqedoni
Kadastra paralajmëron vlerësim masiv të patundshmërive
17.01.2017 15:28
Agjencia për Kadastër të Patundshmërive ka paralajmëruar vendosjen e një sistemi të ri për vlerësim masiv të patundshmërive...

Agjencia për Kadastër të Patundshmërive ka paralajmëruar vendosjen e një sistemi të ri për vlerësim masiv të patundshmërive, me çka çdo patundshmërie në vend do t’i caktohet vlerë tregtare. Muajin e ardhshëm Kadastra do të kryejë vlerësime masive të të gjitha patundshmërive në Sveti Nikollë, Zelenikovë, Gostivar dhe Kisella Vodë, si pilot komuna për vendosje të sistemit për vlerësim masiv.
“Muajin e ardhshëm, Agjencia për Kadastër të Patundshmërive do të zbatojë grumbullim të të dhënave për katër pilot komunat. Në prill planifikohet që të kryhet vendosja e sistemit për vlerësim masiv përmes të cilit do të mundësohet vendosje automatike e deklaratave me të dhëna shtesë për patundshmëritë në bazën e Regjistrit të çmimeve”,- deklaroi drejtori i Kadastrës, Slavçe Trpevski.
Njëherit, nga Kadastra thonë se oferta e banesave në treg është e volitshme, pasi momentalisht ka numër të mjaftueshëm të banesave të reja të ndërtuara, si dhe nëse mbeten kushtet e njëjta në treg, pritet një ulje e vogël e çmimeve të patundshmërive.
“Agjencia për Kadastër të Patundshmërive në periudhën e ardhshme, nëse kushtet në treg mbeten të njëjta, pret të ketë një ulje të vogël të çmimeve të patundshmërive, para së gjithash për shkak të rritjes së aktiviteteve ndërtimore dhe zvogëlimit të kërkesës për banesa”,- tha drejtori i Kadastrës, Slavçe Trpevski.
Në tregun e patundshmërive aktualisht ka 11 mijë banesa, 2 mijë e 800 prej të cilave janë banesa të reja.
GAZMEND KURTISHI
