Maqedoni
Qytetarët e Çairit: Rrugët dhe trotuaret nuk janë të pastruara; Komuna e Çairit: Fillimisht po pastrojmë rrugicat më të rrezikshme
17.01.2017 16:30
Qytetarët e komunës së Çairit ankohen se rrugët lokale dhe trotuaret nuk janë të pastruara...

Sipas tyre po pastrohen vetëm rrugët kryesore ndërsa janë lënë anash rrugët dytësore, dhe kjo siç thonë ata paraqet problem në komunikacion dhe vështirësi për këmbësoret, sidomos për të moshuarit, të cilët ankohen se rrugët janë të rrëshqitshme.
“Duhet t’i pastrojnë rrugët, po edhe kripë duhet të nxjeret. S’ka ardhur askush deri tani. Ja siç po shihni sasia e borës është e madhe”,- tha një qytetar.
“Jo, nuk janë pastruar. Unë nuk jam shofer, mirëpo ka vështirësi në komunikacion. Ne pleqtë pak duhet të ruhemi, se ka akull”,- theksoi një qytetare.
“Rrugët nuk janë të pastruara, kripë kanë hedhur atje në rrugën kryesore, por këtu jo. Probleme ka, mund të rrëzohet dikush”,- u shpreh një qytetar.
Nga komuna e Çairit thonë se kanë nxjerrë makineritë për të pastruar rrugët komunale, por ata sqarojnë se fillimisht po pastrojnë rrugicat më të rrezikshme, ndërsa gradualisht do të pastrojnë të gjitha lagjet e kësaj komune.
Kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski, thotë se janë pastruar rrugët kryesore që janë në kompetencë të qytetit, ndërsa rrugët lokale janë nën kompetenca të komunave, prandaj apelon që komunat të kryejnë obligimet e tyre.
“Do të bëja apel deri te komunat e Qytetit të Shkupit, që sa më shumë të kujdesen për pastrimin e rrugëve lokale komunale, të kenë shërbime të organizuara, apo paraprakisht të kenë të lajmëruar tenderë, me të cilat do të sigurojnë numër të konsiderueshëm të automjeteve dhe të kripës, në mënyrë që të munden edhe rrugët komunale të jenë të pastruara”,- deklaroi kryetari i Shkupit, Koce Trajanovski.
Njëherit, Trajanovski thotë se bulevardet dhe rrugët kryesore të qytetit janë në nivel të lartë të mirëmbajtjes.
ERSAN PAJAZITI
