Lutfiu në Kongresin e Vjenës: Ballkani është lënë anash

17.01.2017 16:48

Ballkani Perëndimor është lënë shumë anësh dhe shkak për këtë janë një mori krizash që kapluan Europën....

Ballkani Perëndimor është lënë shumë anësh dhe shkak për këtë janë një mori  krizash që kapluan Europën.

Kështu ka vlerësuar ministri i Arsimit dhe Shkencës, Pishtar Lutfiu, në Kongresin e Vjenës të organizuar nga COM-SULT, me temë "Call for the future".

“Sigurisht, në shqetësimin tim kam shprehur që vendet e Ballkanit Perëndimor kërkojnë pak më tepër vëmendje, edhe pse Europa ka pësuar një valë krizash, siç e kishim atë më “Brexitin”, referendumin e Anglisë për daljen nga BE-ja, pastaj kemi pasur emigrantët, kemi pasur një valë të sulmeve terroriste, sigurisht që Europa ka pasur shqetësimet e veta mbi këtë çështje. Gjithashtu unë kam theksuar se pa marrë parasysh gjithë ato valë të krizave të Unionit Europian, Ballkani Perëndimor nuk guxon që të lihet anash. Në këtë kontekst kam kërkuar që mbështetja të jetë edhe më e fuqishme, që vendet e rajonit tonë t’i kthehen agjendave pro evropiane dhe agjendave të NATO-s, që vazhdimisht ne kemi bërë propagandë që të jemi pjesë dhe duam të jemi pjesë e BE-së”,- deklaroi ministri i Arsimit, Pishtar Lutfiu.

Konferenca e Vjenës organizohet për të 14 herë në Vjenë të Austrisë dhe është një nga organizimet me renome botërore, në të cilën marrin pjesë personalitete eminente të politikës, novelistë, si dhe profesorë nga universitetet më të ranguara botërore. (Farije Dauti-Bakiu, TVM2)