Botë
Ambasada amerikane në Prishtinë: Kosova është shtet sovran; Lavrov: Tensionet në Ballkan po rriten
17.01.2017 17:28
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes Ambasadës në Prishtinë, u kanë dhënë mbështetje autoriteteve të Kosovës...

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes Ambasadës në Prishtinë, u kanë dhënë mbështetje autoriteteve të Kosovës në marrjen e vendimit për ndalimin e hyrjes së trenit nga Serbia për në territorin e Kosovës.
“Kosova është shtet sovran dhe i pavarur, dhe ne e respektojmë të drejtën e Kosovës që të menaxhojë se kush dhe çka kalon nga kufiri i saj”,- thuhet në qëndrimin e publikuar nga Ambasada amerikane në Prishtinë.
“Na vjen mirë që nuk kishte konfrontime në kufi, por nga rritja e nacionalizmit nuk përfiton askush”,- thuhet më tej nga Ambasada amerikane.
“ShBA-të përkrahin fuqishëm dialogun e moderuar nga Bashkimi Europian si mënyrën më të mirë për të ecur përpara në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, dhe u bëjmë thirrje gjitha palëve që t’i shmangen retorikës së rrezikshme dhe të vazhdojnë të punojnë për normalizimin e marrëdhënieve dhe përmirësimin e jetëve të qytetarëve të të dyja shteteve”,- vijon qëndrimi i Ambasadës amerikane në Prishtinë.
Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka theksuar se tensionet në Ballkan po rriten, prandaj i ka kërkuar Bashkimit Europian të ndihmojë në shtensionimin e situatës.
Në konferencën vjetore për gazetarët në Moskë, Lavrov tha se tensionet po krijohen në masë të madhe nga “politikat e atyre që imponojnë të ashtuquajtura vlera pro-europiane, në një mënyrë të modernizuar post-kristiane, te të gjithë popujt e Ballkanit”.
“BE-ja duhet të shtensionojë situatën dhe të sigurojë se marrëveshjet midis Beogradit dhe Prishtinës respektohen. Ato përcaktojnë në mënyrë të veçantë se liria e lëvizjes së njerëzve nuk kufizohet dhe se nuk duhet të ketë agjenci shqiptare të zbatimit të ligjit në veri të Kosovës, ku jetojnë serbët”,- theksoi ministrit i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov.
Këto komente vijnë tre ditë pasi Serbia nisi drejt Kosovës një tren të blerë në Rusi dhe me sloganin “Kosova është Serbi”, që nuk u lejua të futet në Kosovë nga autoritetet kosovare, pas çka pasuan deklarata të ashpra nga zyrtarët serbë, përfshirë atë të presidentit serb, Nikoliq, se Serbia është e gatshme të fut ushtrinë e saj në Kosovë.
Derisa autoritetet e Kosovës kanë theksuar se janë të gatshme të mbrojnë integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës.
BESIM ABDULLAI
