Maqedoni

Bisedimet për Qeverinë e re, VMRO hesht, kurse BDI vazhdon konsultimet

17.01.2017 18:02

Praktika e Përzhinës, kur bisedimet intensive zhvilloheshin në ditën e fundit, sipas të gjitha gjasave, do të aplikohet edhe në bisedimet për formimin e qeverisë së re...

Jozyrtarisht mësohet se edhe gjatë kësaj jave nuk do të lëvizet nga pika zero. Nga VMRO-DPMNE edhe më tej mbeten pa përgjigje nëse kanë dërguar ftesë deri te BDI për fillimin e negociatave.
 
“Do ta informojmë opinionin kur të ndodh një gjë e tillë”, është sintagma e këtyre ditëve. 
 
Ndërkohë, Bashkimi Demokratik për Integrim po vijon konsultimet me organet partiake, me intelektualë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, si dhe me komunitetin ndërkombëtar. Diskutohet për zhvillimet politike në vend dhe rajon si dhe për opsionet e BDI-së për formimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit.
 
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, edhe në takimin me ambasadorin e Shqipërisë në Maqedoni, Fatos Reka, ka veçuar deklaratën e partive politike shqiptare dhe tre pikat e panegociueshme në kontekst të katër opsioneve që po shqyrton kjo parti. 
 
Dhe përderisa BDI këmbëngul në tre kushtet e panegociueshme dhe në Deklaratën e përbashkët, VMRO mbetet në qëndrimin se këto dy deklarata janë të papranueshme.
 
Ndërkaq, shumë analistë politik kanë hedhur në opinion tezën se qasja diametralisht e kundërt mes VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së, ku secila bën rolin e patriotit para etnisë së vet, mund të jetë një skenar i koordinuar mes dy partnerëve qeverisës në tetë vitet e fundit.
 
Dhe përderisa Gruevskit i mbeten edhe 12 ditë për të bërë numrat në Kuvend, mbetet mister se si do të veprojë presidenti nëse mandatari nuk ia del të sigurojë shumicën parlamentare, nëse do t’i jepet mundësia partisë së dytë fituese ose do të ndërmarrë ndonjë vendim tjetër. 
 
Më 9 janar presidenti Ivanov mandatoi kreun e VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevskin, pa siguruar shumicën e domosdoshme prej 61 votash, ndërkaq Neni 90 i Kushtetutës së RM-së thotë: presidenti i Republikës së Maqedonisë e ka për detyrë që në afat prej dhjetë ditëve, nga dita e konstituimit të Kuvendit, mandatin për formimin e Qeverisë t’ia besojë kandidatit të partisë, përkatësisht partive që kanë shumicë në Kuvend.
 
SHPËTIM NUREDINI