Botë

Shqipëri, viktimat nga gripi

17.01.2017 18:56

Ka arritur në 7 numri i personave që kanë ndërruar jetë në Shqipëri për shkak të gripit të stinës...

Ministria e Shëndetësisë ka informuar vetëm sot tre raste të vdekjes nga virusi i gripit, bilanc i cili ka ardhur në rritje, pavarësisht rritjes së lehtë të temperaturave.

Viktima më e fundit është shënuar mëngjesin e sotëm kur një fëmijë vetëm 2 vjeç ka vdekur për shkak të komplikimeve nga gripi.

Ndërkaq, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, një 82-vjeçare në Vlorë ka ndërruar jetë tri ditë më parë, ndërsa ishte shtruar në Spitalin infektiv me diagnozë "pamjaftueshmëri multiorganore dhe gjendje post febrile".

Mostrat e ekzaminuara nga Instituti i Shëndetit Publik konfirmojnë se pacientja ishte e prekur edhe nga virusi i gripit stinor A.

Ndërkaq, një tjetër paciente 71-vjeçare ka humbur jetën si pasojë e gripit.

Pacientja, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, vuante nga një sërë sëmundjesh, por gripi ia ka përkeqësuar atë, deri në humbje jete.

LULJETA NDOKA