Deklarata e Shumanit, gurthemel i BE-së
Meqë Maqedonia akoma nuk është anëtare fuqiplotë e BE-së, fryma e kësaj organizate supranacionale dominon edhe në vendin tonë……

9 maji, një dimension historik që në traditën evropiane njihet si dita e Evropës, ditë e cila shënoi ngjarjet dhe vlerat e një kapitulli të ri për Evropën, ku u sfidua fashizmi për t’u zëvendësuar me sistemin e demokracisë, tashmë po praktikohet si manifestim edhe në vendin tonë.
Meqë Maqedonia akoma nuk është anëtare fuqiplotë e BE-së, fryma e kësaj organizate supranacionale dominon edhe në vendin tonë.
Për ta ndjerë për së afërmi ditën e Evropës, Maqedonia duhet të punojë me përkushtim më të madh në drejtim të sigurimit të lirive dhe të të drejtave të njeriut, paqes dhe prosperitetit, thotë Besa Kadriu, njohëse intelektuale e integrimeve evropiane.
“Për vendet të cilat janë jashtë bashkësisë evropiane, gjithsesi 9 maji ka vlerën dhe rëndësinë e posaçme në këtë drejtim, por janë të shumta tendencat dhe sakrificat që duhet bërë për një të ardhme më të mirë, në drejtim të kultivimit të këtyre vlerave, të paqes, të sigurisë, të respektimit të lirive dhe të drejtat e njeriut, të cilat kanë nevojë edhe më tepër të kultivohen në këto shoqëri, të cilat janë instalim i demokracisë”, - deklaroi asistentja për eurointegrime në UEJL, Besa Kadriu.
Pikërisht deklarata e 9 majit është data kur u hodh hapi i parë drejt asaj që sot njihet si Bashkimi Evropian.
Ideatorët diplomatik si: Robert Shuman, Zhan Mone, Konrad Adenauer, morën iniciativë për ndërtimin e një të ardhme dhe marrëveshje paqësore, e cila do t’i printe Evropës nën qiellin e përbashkët të konglomerateve të ndryshme kulturore, gjuhësore, nacionale dhe fetare. (Nermin Mulaki-Fejzullahu, TVM2)
