Botë

Itali, rikthehen tërmetet, tronditen sërish Amatrice dhe Rieti, nuk ka viktima

18.01.2017 13:48

Italia qendrore tronditet sërish...

Në orën 10:25 minuta, një tërmet i fortë me magnitudë 5.3 ballë ka goditur zonën nga Lakuila në Rieti. Pesë minuta më pas, një tjetër lëkundje 3.2 ballë, me epiqendër Amatriçen, zonë thuajse e shkatërruar nga tërmeti i 23 dhe 24 gushtit.
 
Lëkundja e tretë u shënua në orën 1:26 minuta, më e forta, me 5.4 ballë. Menjëherë pas lëkundjeve të fundit, shumë shkolla në Rieti janë evakuuar, në bazë edhe të një plani emergjent të miratuar për  zonat sizmike. Sipas autoriteteve, ka pasur edhe dëme materiale, disa banesa dhe institucione kanë pësuar dëme në mure dhe dysheme. Fatmirësisht nuk ka pasur dëme në njerëz. 
 
Italia ende nuk është shënuar nga plagët e tërmeteve të verës dhe një tjetër tragjedi duket e rëndë për mijëra njerëz që po vuajnë në këto temperatura të ftohta. 
 
Sikur të mos mjaftonte vetëm paniku nga tërmeti, 87.000 banorët e Abruzos, ende vazhdojnë të jenë pa energji elektrike për shkak të stuhisë së borës që ka përfshirë rajonin javët e fundit.
 
Pas alarmit të borës, një pjesë e Italisë tashmë është alarmuar edhe nga një tjetër rrezik që vjen nga natyra. Situata në qytetin e Peskaras ka dalë jashtë kontrollit pas përmbytjeve të shkaktuara nga fryrja dhe dalja nga shtrati e lumit Omonimo. Autoritet lokale u kanë bërë thirrje qytetarëve të mos përdorin makinat, pasi rrugët janë kthyer në lumenj të vegjël.
 
Një pjesë e qytetit është paralizuar si pasojë e mbylljes së qarkullimit, teksa shumë biznese e institucione kanë mbyllur dyert. Policia, forcat zjarrfikëse dhe të gjitha shërbimet e emergjencës po punojnë për të normalizuar situatën.
 
BELINDA KOKA-ADEMI