Mustafa: Muri në Mitrovicë do të rrënohet, do të vazhdojë dialogu me Serbinë në Bruksel

18.01.2017 15:14

Institucionet e Kosovës janë në nivel të detyrës për të mbrojtur stabilitetin e vendit....

Institucionet e Kosovës janë në nivel të detyrës për të mbrojtur stabilitetin e vendit, muri në Mitrovicë do të rrënohet, ndërsa Ramush Haradinaj nuk do të ekstradohet nga Franca në Serbi, është optimist kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.

“Thërras pushtetin lokal të komunës veriore të Mitrovicës për zbatimin e ligjit rreth murit të ndërtuar pa leje. Muri i ngritur në mes të qytetit të Mitrovicës nuk është e tashmja dhe e ardhmja e qytetarëve të Republikës së Kosovës. Qeveria nuk është e interesuar të ndërhyjë në punët e pushtetit lokal, përderisa ky pushtet do të respektojë dhe do të implementojë ligjin, por në rast të kundërt, Qeveria do të kërkojë nga organet përkatëse të marrin masa ligjore, për të mos lejuar që askush të ngre mure për të ndarë qytetarët e Republikës së Kosovës. Ramush Haradinaj nuk do të ekstradohet në Serbi, por do të kthehet në Kosovë dhe trenat do të mund të hyjnë nga Serbia në Kosovë dhe nga Kosova në Serbi, duke respektuar në mënyrë të dyanshme rregullat e lëvizjes së mallrave dhe lëvizjes së lirë të qytetarëve”,- deklaroi kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.

Po ashtu Mustafa ka thënë se edhe përkundër vërejtjeve për provokime të shumta që vijnë nga Serbia, dialogu Kosovë-Serbinë do të vazhdojë.

Ai po ashtu tha se Qeveria është e përkushtuar për të implementuar marrëveshjet nga dialogu, edhe marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, për të cilin tha se do të implementohet  në harmoni me vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe me marrëveshjen e parë, por me pjesëmarrje të serbëve dhe komuniteteve tjera në këtë proces.

Ndërkohë, mediat në Beograd shkruajnë se Bashkimi Europian kërkon që dialogu i Brukselit të vazhdojë në nivelin më të lartë politik, që nënkupton takimin e kryeministrit të Kosovës e të Serbisë, Isa Mustafën dhe Aleksandar Vuçiqin, edhe atë deri në gjysmën e shkurtit. Gazeta “Danas” e Beogradit shkruan se burime nga Brukseli kanë thënë se “BE nuk e sheh me simpati promovimin e trenit serb deri në Mitrovicë, e as deklaratat e ditëve të fundit të presidentit serb, Tomisllav Nikoliq, për dërgimin eventual të ushtrisë në Kosovë. (Gyltene Sinani, TVM2)