“Ura e Boshkut”, Banka Europiane zyrtarisht heq dorë nga projekti
Banka Europiane ka hequr dorë nga financimi i hidroelektranës “Ura e Boshkut”, e cila duhej të ndërtohej në Parkun nacional në Mavrovë...

Ky vendim i BERZh-it erdhi disa muaj pas miratimit të kërkesës për suspendimin e të gjitha projekteve infrastrukturore në parkun kombëtar të Mavrovës, që u soll në fund të vitit 2015.
Suspendimi erdhi nga Komiteti i përhershëm i Konventës së Bernës pranë Këshillit të Europës. Dyshimi për financimin e këtij projekti ka filluar qysh nga viti i kaluar kur nga Banka Europiane thanë se projekti është ndalur dhe se është duke u përpiluar një studim i ri, ndërsa të gjitha procedurat e këtij projekti kanë qenë të ndërprera.
Ambientalistët alarmuan se mungon një analizë e thellë për ndikimin e projektit si dhe i gjithë procesi deri tani nuk është bërë si duhet.
Nga aspekti energjetik ndërtimi i këtij hidrocentrali do të ndikonte në uljen e importit të rrymës, por nga aspekti ekologjik, biologët alarmuan se në rezervuarin nacional të Mavrovës, me këtë projekt kërcënohet zhdukja e një prej kafshëve endemike, rriqebulli.
Edhe banorët e Dibrës u ngritën në protesta në atë kohë, duke kundërshtuar devijimin e lumit Radika. Problemi u ngrit në nivel më të lartë me reagimin edhe të Tiranës zyrtare.
Por bartësi i projektit, Kompania ELEM, thotë se do të vazhdojë me aktivitetet lidhur me këtë projekt. Nga ELEM thonë se do të vazhdojnë me aktivitetet të cilat nuk janë lëndë problematike. ShA ELEM vlerëson se projekti “Ura e Boshkut” është i rëndësishëm për shkak se do të kontribuojë në rritjen e prodhimit vendor të energjisë.
Vendimin e vet, financuesi më i madh i projektit edhe zyrtarisht e publikoi në ueb faqen zyrtare. BERZh siguroi kredi prej 65 milion euro për ndërtimin e kapacitetit energjetik me fuqi të instaluar prej 68,2 megavate. Hidrocentrali duhej të prodhojë 117,54 megavat orë në vit, ndërsa planifikohej të shfrytëzohet potenciali ujor i rajonit të Radikës.
ERSAN PAJAZITI
