Moti i ftohtë, edhe nesër borë, të premten del dielli

18.01.2017 15:49

Reshjet e reja të borës që filluan sërish, sonte dhe nesër priten të grumbullojnë shtresë....

Reshjet e reja të borës që filluan sërish, sonte dhe nesër priten të grumbullojnë shtresë deri në 40 centimetra në të gjithë vendin tonë.  Sinoptikanët u apelojnë autoriteteve të jenë të gatshëm dhe të përgatitur mirë për t’u përballur me situatën në terren.

Edhe përkundër angazhimit të kompetentëve, shumë zona të vendit po përballen me vështirësi nga bora, që vazhdon të bjerë pa pushim. Komunikacioni vazhdon me vështirësi, me vendosjen e herëpashershme të ndalesave për automjetet e rënda në qafat malore Pletvar, Strazh dhe Gjavato, si dhe në rrugën Mavrovë - Dibër. Drejtuesit e automjeteve thonë se shikueshmëria në rrugë është ulur ndjeshëm. “Vështirësitë më të mëdha në komunikacion vërehen në rrugën magjistrale Strazhë - Ohër. Mjegulla dhe reshjet e borës ulën dukshëm shikueshmërinë e automjeteve në këtë rrugë”,- deklaroi një qytetar.       

“Tash u nisa prej Shkupit dhe deri tani rrugët janë të gjitha të kalueshme, nuk e di si do të jetë më vonë”,- u shpreh një qytetar.

Nga Ndërmarrja publike “Rrugët e Maqedonisë” thonë se janë të gatshëm edhe më tej të përballen me situatën.

“Ndërmarrja publike “Rrugët e Maqedonisë” edhe përkundër makinerive të vjetruara që ka në dispozicion, do të japë maksimum që të mund të përballet me sukses me situatën në terren. Kemi siguruar sasi të nevojshme të kripës dhe rërës, dhe kemi mobilizuar njerëz dhe makineri në 37 vende, që të pastrojnë borën 24 orë në ditë nga të gjitha rrugët shtetërore”,- tha Borçe Sarxhovski  nga Ndërmarrja Publike për rrugët e Maqedonisë.

Reshjet e borës do të vazhdojnë edhe të enjten. Përmirësim të kohës, sinoptikët paralajmërojnë vetëm pas të premtes. (Rexhep Qamili, TVM2)