Maqedoni

Grimcat pm 2.5, Shkupi - kryeqyteti më i ndotur i Europës

18.01.2017 16:12

Shkupi është qyteti më i ndotur në Europë me grimcat PM 2,5...

Këto grimca janë më të vogla dhe më të rrezikshme se grimcat PM10, shkaktarë për sëmundje të ndryshme të zemrës, sulmeve në tru dhe kancerit në mushkëri, tregojnë të dhënat e një studimi të Institutit Meteorologjik i Finlandës në bashkëpunim me Institutin e Shëndetit Publik.
 
“Në tre vitet e fundit është vërtetuar se nga 30 deri më 35 për qind të rasteve të vdekjeve kanë të bëjnë me ajrin e papastër. Më shumë e pësojnë kategoritë e ndjeshme. Mesatarisht rreth 1.300 njerëz vdesin si pasojë e ajrit të ndotur”,- deklaroi Dragan Gjorgjev nga Instituti i Shëndetit Publik.
 
“Parku i transportit në Finlandë, në krahasim me BE-në, ishte nga më të vjetrit, por megjithatë në ndryshimet e bëra në  30 vitet e fundit janë ulur grimcat të cilat janë të dëmshme për shëndetin e njeriut e që shkaktohen nga mjetet transportuese”,- deklaroi Oto Hanien nga Instituti për Shëndet dhe Mirëqenie – Finlandë.
 
Autoritetet e qytetit të Shkupit thonë se vazhdimisht ndërmerren masa për zvogëlimin e ndotjes.
 
“Qyteti i Shkupit investon rreth 4 milion euro për zvogëlimin e ndotjes thuajse për çdo vit. Nëse nuk do të ishin ndërmarrë këto masa deri më tani, ndotja do të ishte shumë më e madhe”,- theksoi kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski.
 
Zgjerimi i sistemit për ngrohje qendrore, subvencionet për ngrohje me paleta dhe përtëritja e parkut të veturave në transportin publik të komunikacionit janë disa prej këtyre masave.
 
VLORA LATIFI-TOPOJANI