Maqedoni
Strehimoret e të pastrehëve, do të zgjerohet kapaciteti në “Munin Potok”
18.01.2017 16:29
Strehimoret e të pastrehëve vazhdojnë të funksionojnë me kapacitet të plotë në këto ditë me të ftohtë ekstrem...

Qendrat funksionojnë pa ndërprerje 24 orë në ditë dhe ka edhe ekipe mobile të Kryqit të Kuq që marrin nga rrugët të pastrehët.
“Numri i të pastrehëve në qytetin e Shkupit është 170, ndërsa jashtë Shkupit janë 10 persona, pra ky është një numër i vogël… Ne nuk dëshirojmë që të pastrehët të jenë të varur nga kjo strehimore, prandaj në të shumtën e rasteve u gjejmë edhe vende pune që më pas t’i rikthehen përditshmërisë”,- thanë nga Kryqi i Kuq.
Të pastrehët janë falënderues për këtë zgjidhje momentale, pasi dimri për ta është periudha më e vështirë e vitit.
“Tani për tani këtu është shumë mirë. Nuk punoj asgjë, flejë rrugëve. Erdha në këtë gjendje sepse nëna imë e shiti banesën ku jetonim. Më herët kam punuar si teneqexhi, por tani nuk kam asgjë për të filluar punë prapë. Më të vështirë e kam periudhën e dimrit, sepse temperaturat e ulëta janë të papërballueshme. Për ushqim nuk e kam problem, gjejmë ndonjë kore bukë nëpër kontejnerë”,- deklaroi një i pastrehë.
Qyteti i Shkupit ndërpreu festimet e zakonshme të Vitit të Ri me qëllimin që paratë t’u ndahen atyre që kanë nevojë.
Paratë e kremtimeve festive do të dedikohen për zgjerim të kapacitetit pranues të qendrës në “Momin Potok”.
“Qyteti i Shkupit është tërhequr nga kremtimet e Vitit të Ri, sepse të hollat e parapara për festat e fundvitit do t’u dedikohen skamnorëve. Kryqi i Kuq na ka ofruar projekt që kjo pikë të zgjerohet me kabina dushi dhe tualete shtesë. Aktualisht këtu meshkujt edhe femrat flenë në të njëjtat dhoma. Me 2 milion denarë që ne i kemi ndarë, do të mundësohen dhoma të ndara për ta”,- u shpreh kryetari i Qytetit të Shkupi, Koce Trajanovski.
Të pastrehët sot morën edhe pako ndihma nga Qyteti i Shkupit.
Por, padyshim, më shumë se ushqimet, ishin këpucët dhe rrobat e ngrohta ato që i gëzuan më shumë.
FARIJE DAUTI-BAKIJU
