Botë
Tajani - kryetar i ri i PE-së, premton përforcim të dialogut mes religjioneve
18.01.2017 16:47
Italiani, Antonio Tajani, është tashmë presidenti i ri i Parlamentit Europian pas një votimi 4 raundesh në Strasburg...

Ai mori edhe zyrtarisht postin pas një votimi të ngushtë që rezultoi me 351 vota për Tajanin dhe 282 për kundërkandidatin tjetër, Gianni Pittella. Tajani ua dedikoi fitoren atyre që humbën jetën në tërmetin që goditi Italinë vitin e kaluar.
Në fjalimin e tij, Tajani bëri thirrje për unitet në kontinentin e kthyer tashmë në një djep të feve e kulturave të ndryshme.
“Ne duhet të forcojmë dialogun mes feve në nivel europian. Fetë nuk janë rrënja e konfliktit, por mund të jenë pjesë e një zgjidhjeje për paqen",- deklaroi kryetari i PE-së, Antonio Tajani.
Zgjedhja e Antonio Tajanit u prit me gëzim të madh në Itali. Kryeministri, Paolo Gentiloni, dhe ministri i Jashtëm, Angelino Alfano, reaguan, siç është bërë në modë tashmë, përmes rrjeteve sociale.
“Një lajm i madh për Italinë zgjedhja e të parit italian në krye të PE-së”,- ishin reagimet e tyre në Twitter.
Të shumta ishin edhe urimet e tjera. Ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier, tha se Parlamenti Europian është një "lojtar vendimtar në Europë, kur bëhet fjalë për të bërë punë bindëse për vlerën e projektit europian dhe për t'iu kundërvënë populistëve dhe ekstremistëve.
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, pret që zgjedhja e Tajanit në krye të PE-së do të ndikojë në avancimin e perspektives europiane të Shqipërisë dhe rajonit.
BELINDA KOKA-ADEMI
