Botë

CIA publikon 13 milion dokumente sekrete, të dhëna edhe për UFO-t dhe dukuritë paranormale

18.01.2017 17:03

Rreth 13 milion dokumente të klasifikuara nga Agjencia Qendrore e Inteligjencës Amerikane (CIA) janë publikuar për herë të parë në internet...

Në këto letra përfshihen informacione mbi inteligjencën, punë kërkimore, të dhëna mbi UFO–t dhe eksperimente psikike. Arkivi i plotë përbëhet nga gati 800 mijë dosje.
 
Mes të dhënave më të pazakonta janë dokumentet nga i ashtuquajturi “Programi Stargate”, i cili merret me fuqi psikike dhe perceptim ekstrashqisor.
 
Në të përfshihen të dhëna të testeve mbi psikikun Uri Geller në vitin 1973, kohë ku ai ishte i famshëm për performancat e tij.
 
Të dhëna të detajuara për mënyrën se si Geller ishte në gjendje për të rikrijuar pjesërisht piktura që ndodheshin në dhomën ngjitur, shpesh me shumë saktësi, bëri që studiuesit të shkruanin se ai e “demonstronte aftësinë e tij paranormale të percepsionit në një mënyrë bindëse dhe të qartë”.
 
Pjesë e këtyre dokumenteve është gjithashtu një koleksion të dhënash të disqeve fluturuese dhe receta për bojë të padukshme. Sipas BBC-së, teksa pjesa më e madhe e këtyre informacioneve teknikisht ka qenë e publikuar që prej 1990 –ës, ato kanë qenë të vështira për t’i aksesuar.
 
Kjo, pasi këto të dhëna ndodheshin në vetëm 4 kompjuterë fizikë në anën e pasme të Arkivit Kombëtar në Maryland. Në nëntor, CIA bëri të ditur se do t’i bënte publike këto dokumente dhe i gjithë ky arkiv tashmë gjendet në kategorinë CIA Library të faqes zyrtare të agjencisë.
 
BELINDA KOKA-ADEMI