Maqedoni
Parlamenti pa kryetar, s’ ka kush t’i shpallë zgjedhjet lokale
18.01.2017 17:11
Vendi ndodhet në prag të respektimit të afateve ligjore për organizimin e zgjedhjeve të rregullta vendore....

Vendi ndodhet në prag të respektimit të afateve ligjore për organizimin e zgjedhjeve të rregullta vendore, por mosfunksionimi i kuvendit mund të frenojë këtë proces, vlerëson analisti politik, Ismet Ramadani.
Sipas tij, kjo vjen si rrjedhojë e jogadishmërisë së partive politike për të krijuar shumicën e re në kuvend, për të zgjedhur kryetarin e kuvendit dhe kabinetin e ri qeverisës.
“Kriza politike meqë po zgjat shumë, po prodhon edhe efekte negative edhe në segmente të ndryshme të organizimit dhe të zgjedhjeve, siç janë ato lokale. Ne kemi tani një situatë të pakuptimtë, nuk kemi kryetar parlamenti, njeriu i cili ka kompetencën ligjore që t’i shpallë zgjedhjet e ardhshme pa marrë parasysh a janë ato lokale apo zgjedhje të tjera të parakohshme, që mund të jenë edhe si mundësi. Duhet definitivisht politika në Maqedoni të fitojë një kapacitet për të zgjidhur probleme, e jo për të komplikuar edhe më tutje procedurat”,- deklaroi analisti politik, Ismet Ramadani.
Shpallja e zgjedhjeve vendore është përcaktuar me ligj, ndërsa kompetencën e vetme për to e ka kryetari i Parlamentit, sqaroi eksperti juridik. Osman Kadriu.
“Ekskluzivisht kompetent për shpalljen e zgjedhjeve vendore është kryetari i Parlamentit. Asnjë organ tjetër jashtë kryetarit të parlamentit nuk ka kompetencë. Ne tani mjerisht kemi vetëm kryesues të mbledhjes së parë, që quhet konstitutive, e cila nuk është e përfunduar, ndërsa ajo përfundohet kur të zgjidhet edhe kryetari i Parlamentit. Funksionet e pushtetit vendor, edhe funksionet e pushtetit presidencial dhe parlamentar, janë afat kushtetues... Vetëm në rrethana të jashtëzakonshme mundet të shtyhen zgjedhjet, por siç i kam informatat. kanë gjasa që ato të shtyhen, për mua pa arsye. për dy muaj pas muajit mars”,- theksoi eksperti juridik, Osman Kadriu.
Nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve nuk deshën të komentojnë rrjedhën e afateve ligjore lidhur me organizimin e zgjedhjeve vendore. Nga KShZ thonë se nuk janë kompetentë për të interpretuar një gjë të tillë.
NAIM RAMADANI
