Maqedoni

ELEM blen energji shtesë, reagojnë LSDM dhe PLD: importi dëmton qytetarët

18.01.2017 17:21

ELEM ka bërë publike shpalljen më të re për blerjen e energjisë elektrike...

Sasitë e reja të energjisë elektrike prej 21,600 megavat do të duhet të mbulojnë nevojat e familjeve dhe kompanive të vogla nga 23 janari deri në 31 janar.
 
Elektranat e Maqedonisë shpjegojnë se të premten do të dinë se sa energji elektrike do të blihet dhe me çfarë çmimi.
 
Në bursën rajonale HUPEKS, ku blihet energji elektrike sot për nesër, energjia elektrike është tregtuar me një çmim prej 84 euro. Kjo do të thotë se në qoftë se në ankand sigurohen të gjitha megavat orët e energjisë elektrike të përcaktuara në njoftim, do të duhen të ndahen të paktën 1.5 milion euro.
 
Por, ELEM siguron se nuk do të ketë ndryshime në çmimin e energjisë elektrike për qytetarët dhe bizneset e vogla edhe përkundër faktit që duhet blerë energji shtesë, pasi kapacitetet vendase të energjisë nuk përmbushin kapacitetin harxhues të saj në këtë periudhë të vitit.
 
Stabilizimi i situatës me energjinë elektrike pritet gjatë fundit të javës. Kjo është shpallja e gjashtë me radhë për furnizim me energji elektrike e shpallur nga ELEM. 
 
LSDM akuzon drejtuesit e shoqatës aksionare, se në pamundësi për të prodhuar energji elektrike aq sa harxhojnë qytetarët e vendit, janë të detyruar që të importojnë energji elektrike jashtë vendit.
 
“Sipas përllogaritjeve të fundit,- thonë nga LSDM,- importi i energjisë në vetëm dy javët e fundit, qytetarëve të vendit do t’u kushtojë 4.2 milion euro”. 
 
Ka reaguar edhe Partia Liberal-Demokrate, e cila akuzon për mungesë investimesh në sektorin e energjetikës dhe politika të gabuara energjetike që, sipas saj, kanë shkaktuar dështimin e disa projekteve hidrosistemore energjetike, si ai i “Çebrenit”, “Galishtës” dhe “Urës së Boshkut”. 
 
GAZMEND KURTISHI