Maqedoni
LSDM pret mandatin, nëse dështon Gruevski; Kasami: Jo në qeveri ku ka të akuzuar nga PPS
18.01.2017 17:24
LSDM mbetet në qëndrimin se vullneti i shumicës së qytetarëve i deklaruar në zgjedhjet e fundit kundër kësaj qeverisjeje duhet të reflektohet në institucione...
Sipas kësaj partie, rreth 612 mijë votues u shprehën kundër, siç thonë, këtij regjimi dhe kanë zgjedhur zhvillimin demokratik.
“Pritjet tona janë që, qytetarët do të fitojnë qeveri të re dhe të përgjegjshme, siç vendosën në zgjedhje. Qeveria e re e qytetarëve do të jetë e përkushtuar në reformat prioritare nga raporti i Pribesë dhe KE-së, pasi qytetarët e Maqedonisë janë përcaktuar fort drejt vlerave europiane. Ndryshimet në Maqedoni kanë filluar dhe tani duhet të vazhdohet në rrugën e duhur”,- ka deklaruar kreu i LSDM-së, Zoran Zaev, gjatë takimit me ambasadorin francez, Kristijan Timonie.
Mirëpo, edhe pse Kushtetuta thotë se mandati i dorëzohet partive që kanë shumicën e votave në Kuvend, LSDM nuk punon në sigurimin e këtyre numrave.
Zëdhënësi i kësaj partie thotë se për momentin mandatar është Gruevski dhe i është lënë atij që të bëjë numrat.
“Besojmë se nëse Gruevski dështon të sigurojë shumicën në Kuvend, mandati do t’i dorëzohet LSDM-së, atëherë do të dalim me qëndrime rreth bisedimeve dhe sigurimit të numrave”,- thotë për TVM2 Petar Shilegov.
Ndërkohë, kreu i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, ka kontestuar mandatarin, Nikolla Gruevskin. Sipas tij, Nikolla Gruevski nuk e ka legjitimitetin jo vetëm të jetë kryeministër, por as që të jetë në ndonjë funksion shtetëror, derisa nuk mbyllen rastet që Prokuroria Publike Speciale ka ngritur kundër tij. Në një intervistë për A1on, Kasami sheh si të mundshme edhe një mandat mes BDI-së dhe VMRO-së.
“Nuk do doja të spekuloj se cila do të ishte pozita e Ahmetit në këtë rast, por duke pasur parasysh se BDI po qeveris 10 vite me VMRO-DPMNE, shanset janë të mëdha që ata përsëri të formojnë qeveri. Edhe pse e nënshkruan atë platformë, gjegjësisht Deklaratën e partive politike shqiptare në Maqedoni, ata opsion të parë në bllokun maqedonas e kanë VMRO-DPMNE-në”,- ka deklaruar Kasami.
Ai ka theksuar se parimi themelor i Lëvizjes BESA për pjesëmarrje në qeveri mbetet që njerëzit që janë të akuzuar nga PPS nuk duhet të jenë në asnjë kombinim në qeverinë e ardhshme.
Përndryshe, Nikolla Gruevski ka marrë mandatin që të formojë qeverinë e re që më 9 janar, mirëpo deri tani nuk ka filluar negociata për bashkëqeverisje me asnjë palë. Bisedimet e para pritet të fillojnë me partinë fituese në bllokun shqiptar, BDI-në, por tre kushtet e BDI-së dhe Deklarata e përbashkët duket sikur e ka vështirësuar këtë proces.
SHPËTIM NUREDINI
