Maqedoni
Qeveria e re, analistët: Shqiptarët mos të heqin dorë nga pikat e platformës
18.01.2017 17:48
Për dallim nga zgjedhjet e mëhershme, zgjedhjet e 11 dhjetorit u mundësuan partive politike shqiptare...

Për dallim nga zgjedhjet e mëhershme, zgjedhjet e 11 dhjetorit u mundësuan partive politike shqiptare të përballen me një moment historik për të zgjidhur çështjet primare të shqiptarëve në vend.
Në këto ditë kur nuk ka bisedime edhe pse ka mandatar, partitë masin pulset, vlerësuan analistët në “Argument” në TVM2.
Analisti, Albert Musliu, thotë se vendi nuk është në krizë politike, por marrëveshja e arritur mes partive shqiptare ka ngritur tensionin e VMRO-DPMNE-së.
“Unë nuk besoj se tash nuk ka biseda, po maten pulset. Por, nuk do të thotë se edhe nëse fillojnë negociatat, se ato do të përmbyllen me sukses. Para krijimit të platformës, mundësia e vetme e negociatave, sipas numrave, ishte e BDI-së me VMRO-DPMNE-në, se vetëm ato e mblidhnin 61-n, tash me krijimin e platformës mundësitë janë të dyanshme dhe pikërisht kjo e ngrenë tensionin dhe shqetësimin e VMRO-DPMNE-së”,- deklaroi analisti politik, Albert Musliu.
Profesorët universitarë, Bashkim Selmani dhe Qashif Bakiu, kërkojnë që shqiptarët të mos luajnë nga pikat e platformës. Për ta simptomatike është heshtja e LSDM-së.
“Platforma duhet të jetë e njëjtë, mos të ketë asnjë pikë dhe prejse për të ndryshuar të njëjtën. Këtë e kemi rast të fundit të flasim me një zë të përbashkët. Çdo tolerancë, apo të themi ndryshim apo reduktim të atyre pikëve, ne përsëri do të jemi humbës kryesorë”,- theksoi profesori universitar, Bashkim Selmani.
“Mendoj se është taktikë me të cilën veprohet, por nga ana tjetër tenton ta vendos në pozicion VMRO-DPMNE-në për t’u vendosur në situatë të qëndrimeve paraprake, duke ia shtuar edhe PPS që është një gur shumë i nxehtë në duart e gjithë partive politike, sepse me të nuk preket vetëm VMRO, por edhe partitë tjera”,- u shpreh profesori universitar, Qashif Bakiu.
Panelistët, gjithsesi, ishin të ndarë në qëndrimet për opsionet e mundshme të qeverisë.
“Ai është koalicion i zgjeruar, është vetoja e asaj që ne i themi badenter, është përfaqësimi proporcional i komuniteteve nëpër institucione dhe autonomia e komuniteteve”,- tha profesori universitar, Qashif Bakiu.
“Këtu realisht është e mundshme qeveria politike e shumicës, a do të bëhet ajo me VMRO-DPMNE-në, a do të bëhet me LSDM-në, duhet të presim edhe pak ditë që të shohim. Të gjithë variantet tjera, sipas meje, janë variante specilative dhe ne si opinion do të tentojmë ta kërkojmë shkakun se pse”,- theksoi analisti politik, Albert Musliu.
Për analistët nuk janë të nevojshme zgjedhje të parakohshme parlamentare, pasi që do të ndikonin negativisht në peshën e partive politike shqiptare.
SANIJE DURAKU
