Maqedoni
Rasti “Puç”, Prokuroria Speciale heq dorë nga aktakuzat
18.01.2017 18:01
Prokuroria Publike Speciale hoqi dorë nga aktakuza për rastin “Puç”...

Nga Prokuroria Speciale thonë se dëshmitë për këtë rast janë në kundërshtim me dëshmitë që posedon specialja nga rastet “Target” dhe “Fortesa”.
PPS kërkon që për rastin në fjalë të sigurohen materiale dhe dëshmi relevante të cilat do të mundësonin sjelljen e një aktakuze të ligjshme dhe jo siç thonë ata, të një aktakuze në kundërshtim me gjendjen faktike.
“PPS tërhiqet nga aktakuza në rastin e njohur si “Puç” për arsye se gjendja faktike dëshmon se aktakuza është në kundërshtim më dëshmitë të cilat i posedon PPS si dhe me gjetjet nga procedurat hetimore në rastet “Target” dhe “Fortesa””, – thonë nga Prokuroria Publike Speciale.
Për këtë rast ka reaguar LSDM, sipas së cilës ka ikur koha kur Gruevski montonte rastet gjyqësore. Nga LSDM thonë se u rrëzua edhe teoria e shërbimeve të huaja që sipas VMRO-së përgjuan mijëra qytetarë.
“Me vendimin e sotëm të PPS-së përfundimisht dhe zyrtarisht u vërtetua se “shërbimet të huaja, furgonë të verdhë, pajisje taktike, kontrolle të stacioneve bazë” janë të ide të pandërgjegjshme dhe pamoralshme të Nikolla Gruevskit. Gruevski u kap në skandalin e përgjimit të paautorizuar bashkë më kushëririn e tij, Sasho Mijallkov”, – deklarojnë nga LSDM-ja.
VMRO e ka cilësuar vendimin e speciales si vërtetim që PPS ka si qëllim kryesor të përfshihet në betejën politike në favor të LSDM-së.
“Katica Janeva, me vendimin e sotëm, vërtetoi se detyra kryesore e PPS-së nuk është pastrimi i skandalit të përgjimeve të jashtëligjshme, por përfshirje në betejën politike. Krijimi i PPS-së u bë për të pastruar veprat penale që dalin nga përgjimet, por me vendimin e sotëm PPS delegjitimoi tërësisht veten dhe hoqi dorë nga funksioni kryesor për të cilin është formuar”,- tha Trajko Velianovski nga VMRO-DPMNE.
Në rastin “Puç” për spiunazh dhe dhunë ndaj zyrtarëve shtetërorë, të akuzuar ishin lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, ish shefi i Policisë Sekrete, Zoran Verushevski, dhe bashkëshortja e tij, Sonja, Branko Palifrov - i punësuar në komunën e Strumicës dhe Gjorgji Lazarevski - i punësuar në MPB.
BESIM ABDULLAI
