Botë

Meksikë, 12-vjeçari qëllon mësuesin dhe dy nxënës

18.01.2017 21:44

Një adoleshent ka qëlluar një mësues dhe dy nxënës, në një moment “çmendurie” siç raportojnë mediet...

Një adoleshent ka qëlluar një mësues dhe dy nxënës, në një moment “çmendurie” siç raportojnë mediet mbi ngjarjen e ndodhur në Monterrey të Meksikës.
 
Agresori thuhet të jetë një nxënës 12-vjeçar. Viktimat e këtij tërbimi nga nxënësi i armatosur thuhet të jenë plagosur rëndë. Ngjarja ka ndodhur në Kolegjin amerikan të Verilindjes (ACN) në Monterrey, Nuevo Leon.
 
Manuel Florentino Gonzales, sekretar i qeverisë lokale të Nuevo Leon, deklaroi se i mituri Federico Guevara, 12 vjeç, hyri në shkollë me një pistoletë të kalibrit 22 mm, e qëlloi pa dallim ndaj nxënësve të tjerë. Ndërsa zëdhënësi i sigurisë së Nuevo Leonit, Aldo Fasci konfirmoi se edhe agresori është plagosur, në këtë incident të paprecedentë sipas tij.
 
“Në kamerat e sigurisë mund të shikoni të miturin të nxjerrë armën, të qëllojë ndaj një mësuesi dhe një nxënësi”, tha Fasci për një televizion lokal. “Ai qëndroi aty për pak, e drejtoi armën ndaj nxënësve të tjerë dhe pak minuta më vonë qëllon sërish. Ende nuk kemi një motiv për këtë veprim”, tha ai.
 
Shërbimet e emergjencës dhe policia kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, ndërkohë që edhe prindërit e nxënësve të këtij kolegji janë mbledhur jashtë ambienteve të tij./Top Channel