Maqedoni
Vizita e inspektorëve në komunë, Bejta: VMRO më hakmerret për deklaratat politike
19.01.2017 15:30
Kryetari i komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta, e ka cilësuar si tendencioze vizitën e djeshme të policisë financiare...

Kryetari i komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta, e ka cilësuar si tendencioze vizitën e djeshme të policisë financiare, shkaku se në disa dalje të tij para mediave ai është shprehur kundër koalicionimit të BDI-së me VMRO-në.
“Qëllimi i tyre nuk ishte projekti i realizuar dikur nga komuna e Gostivarit, por presioni”,- ka deklaruar kryetari i komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta.
Sipas Bejtës, pas këtij veprimi të policisë financiare qëndrojnë struktura të larta të VMRO–së të cilat nëpërmjet këtij akti dëshirojnë t’i hakmerren atij për deklaratat e tij publike gjatë të cilave ai u shpreh kundër koalicionimit të partisë së tij, BDI, me VMRO–DPMNE–në.
Bejta thotë se nuk është kundër kontrolleve institucionale, porse ato duhet të bëhen jo vetëm tek komunat që drejtohen nga kryetarë shqiptarë, por edhe tek ato komuna që drejtohen nga kryetarë maqedonas.
Sipas tij, policia financiare kontrollet e saj duhet t’i drejtojë kah Qeveria, e cila duhet të japë llogari për atë se ku kanë shkuar paratë e qytetarëve të këtij vendi.
Subjekt i përplasjes së kryetarit të komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta, me pjesëtarët e policisë financiare është bërë një investim prej 5 milion denarëve i realizuar në fshatin Tumçevisht.
Bëhet fjalë për ndërtimin e një terreni sportiv dhe asfaltimin e disa rrugicave në brendi të këtij fshati me përbërje etnike maqedonase, në inaugurimin e të cilave aso kohe morën pjesë edhe drejtues të lartë të VMRO–DPMNE-së.
LULZIM HAZIRI
