Botë

Uashington, protesta e pakënaqësi ndaj Trumpit në prag të betimit

19.01.2017 15:39

Dhjetëra njerëz dolën nëpër rrugët e Uashingtonit për të protestuar kundër presidentit të zgjedhur, Donald Trumpit...

Dhjetëra njerëz dolën nëpër rrugët e Uashingtonit për të protestuar kundër presidentit të zgjedhur, Donald Trumpit, i cili nesër do të japë betimin si president i 45-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Protestuesit e cilësuan Trumpin fashist dhe president ilegjitim. Pritja aspak miqësore që po i rezervohet shefit të ri të Shtëpisë së Bardhë nuk vjen vetëm nga protestues të thjeshtë.

Jarry Nadler dhe Adriano Espaillat, anëtarë demokratë të Kongresit, janë dy të fundit që i bashkohen një liste prej 50 deputetësh disidentë që nuk do të marrin pjesë në ceremoninë e betimit të Donald Trumpit.

Në ditën kur Barack Obama do t’i dorëzojë çelësat e Shtëpisë së Bardhë e kodet nukleare pasardhësit të tij, masat e sigurisë janë në nivelin maksimal.

Sipas sondazheve të NBC-së dhe Uall Street Journal, asnjë tjetër përpara tij nuk ka marrë mandatin me një shkallë kaq të ulët pëlqyeshmërie, prej 44%.

Sa për krahasim, Obama gëzonte 68% të mbështetjeve, ndërsa George Bush 68%.

Por, ceremonia do të zhvillohet me të gjithë shkëlqimin e merituar për një president dhe me një kosto prej 200 milion dollarësh.

90 milionë janë mbledhur tashmë nga donatorë privatë. Biletat për mbrëmjen gala kushtojnë nga 150 dollarë e lart, por të gjitha janë shitur tashmë.

Në shitje gjen vetëm bileta për ballot përcjellëse të ceremonisë që shiten nga 150 deri në 1000 dollarë për person.

GYLTENE SINANI