Maqedoni

Edhe sot nën “mbulesën” e bardhë, në dhjetë ditët e ardhshme rriten temperaturat

19.01.2017 15:52

Reshjet e dëborës dhe i ftohti i madh që ka përfshirë Maqedoninë, kanë sjellë vështirësi në qarkullimin rrugor...

Reshjet e dëborës dhe i ftohti i madh që ka përfshirë Maqedoninë, kanë sjellë vështirësi në qarkullimin rrugor dhe bllokuan për disa ditë fshatrat në malësinë e Tetovës dhe të Karadakut.
 
Shtresa më e lartë e borës prej 85 centimetra sot në mëngjes është matur në Mavrovë.
 
Mavrova ka kryesuar edhe me temperaturën më të ulët të ditës, që në mëngjes ishte minus 6 gradë celsius, ndërsa qyteti më i nxehtë sot ishte Dojrani, ku temperatura arriti në plus 1 gradë.  
 
Por, sipas meteorologëve, në 10 ditët e ardhshme i ftohti do të zhduket dhe do të ketë mot të ngrohtë dhe me diell, ndërsa temperaturat do të ngrihen në plus 10 gradë nga sa janë aktualisht. 
 
Rrugët janë të kalueshme, me ndalesa të përkohshme në qafëmale për makinat e tonazhit të rëndë.
 
Në Shkup janë hedhur në rrugë 155 ton kripë vetëm mbrëmë, sidomos në pikat kritike.
 
Por, autoritetet e qytetit të Shkupit i bëjnë thirrje edhe komunave të pastrojnë rrugët që janë në kompetencë të tyre, por edhe qytetarëve që të bëhen të ndërgjegjshëm dhe të ndihmojnë duke pastruar para dyqaneve apo shtëpive të tyre.
 
I ftohti dhe gripi sezonal detyruan autoritetet të shtyjnë për një javë fillimin e gjysmëvjetorit të dytë të vitit shkollor.
 
Madje, shumë prindër, nga frika e gripit, nuk i çojnë fëmijët as nëpër kopshte dhe çerdhe.
 
VLORA LATIFI-TOPOJANI